Orges Shehi ka nisur të lërë gjurmë te Tirana, duke i dhënë skuadrës një tjetër fytyrë në javët e fundit të kampionatit. Edhe pse kampionati mbetet i luftuar dhe rezultatet nuk kanë qenë perfekte, shenjat e përmirësimit janë të dukshme.
Në katër ndeshje në Superiore nën drejtimin e tij, Tirana ka regjistruar 2 fitore dhe 2 humbje, me një golavarazh 5-4. Bardheblutë kanë grumbulluar 6 pikë, me një mesatare prej 1.50 pikësh për ndeshje, një ritëm që, nëse ruhet, i mban larg zonës së rrezikut. Por më shumë sesa shifrat totale, ajo që bie në sy është progresi gradual i skuadrës.
Në tri ndeshjet e fundit, Tirana ka pësuar vetëm një gol dhe ka shënuar 4, duke treguar një ekuilibër më të mirë mes fazës mbrojtëse dhe asaj sulmuese. Dy humbjet kanë ardhur përballë kundërshtarëve të fortë. Disfata 3-1 ndaj Vllaznisë dhe ajo minimale 1-0 kundër Elbasanit tregojnë se skuadra ende ka hapësira për përmirësim, sidomos në ndeshjet ndaj rivalëve direkt ose ekipeve në formë. Megjithatë, reagimi i Tiranës ka qenë i menjëhershëm.
Në dy ndeshjet e fundit, bardheblutë kanë realizuar 4 gola dhe, më e rëndësishmja, nuk kanë pësuar asnjë dhe dy fitore rresht.
Një tregues i qartë se skuadra po fiton stabilitet dhe besim, dy elementë thelbësorë në këtë fazë të sezonit. Dora e Shehit po ndihet sidomos në organizimin e lojës dhe disiplinën taktike. Tirana duket më kompakte në fushë, më e kujdesshme në mbrojtje dhe më konkrete përpara portës.
Kjo është pikërisht ajo që i ka munguar në pjesën më të madhe të sezonit. Nëse ky trend pozitiv vazhdon, bardheblutë kanë të gjitha mundësitë jo vetëm të sigurojnë mbijetesën, por edhe të ngjiten disa shkallë më lart në renditje. Me një ekip që po fiton identitet dhe rezultate që po vijnë gradualisht, Tirana e Shehit duket gati për të bërë kthesën e shumëpritur.