Milan po shikon me interes talentin e ri grek Konstantinos Karetsas, mes një konkurrence të fortë dhe një çmimi të konsiderueshëm në merkato. Pauza e kombëtareve, sidomos kjo e fundit pranë fundit të sezonit, është gjithmonë një moment i mirë për të diskutuar për merkato. Këtë vit, edhe më shumë për Milanin, pasi përpara ndeshjes ndaj Torinos (fituar 3-2), në “Casa Milan” u zhvillua një takim i rëndësishëm për operacionet dhe perspektivat e së ardhmes.
Në takim morën pjesë trajneri Masimiliano Alegri, drejtuesit si Xhorxho Furlani, Igli Tare dhe Zlatan Ibrahimoviç, ku u hodhën disa ide dhe emra konkretë. Një nga profilet që ka përfunduar në listën e drejtuesve kuqezi është 18-vjeçari Karetsas. Sipas raportimeve, Milani e ndjek prej të paktën një viti këtë mesfushor ofensiv, i cili ka debutuar edhe me kombëtaren greke dhe po spikat te KRC Genk. Ai mund të luajë si fantazist, sulmues i dytë apo edhe si anësor i djathtë, duke përfaqësuar një investim tipik për të ardhmen.
Vetëm këtë sezon ka zhvilluar 43 ndeshje në të gjitha kompeticionet, me 3 gola dhe 18 asistime, shifra mbresëlënëse për një lojtar të lindur në vitin 2007. Megjithatë, për një talent të tillë, konkurrenca është shumë e fortë. Klubet e mëdha të Premier League si Çelsi, Arsenal dhe Mançester Junajtid janë gjithashtu në garë për shërbimet e tij.
Për më tepër, edhe çmimi është i lartë. KRC Genk kërkon të paktën 35 milionë euro për kartonin e tij. Në fund, do të jetë Milani që duhet të bëjë vlerësimet e duhura, duke pasur parasysh se merkatoja kërkon ndërhyrje në disa reparte. Sipas parashikimeve, skuadra e Alegrit ka nevojë për të paktën një ose dy mbrojtës qendrorë, një mesfushor, një anësor dhe një sulmues.