Java e 30-të në Abissnet Superiore e gjen Tiranën në transfertë përballë Flamurtarit, në përballjen e parë direkte të fazes së fundit të kampionatit.
Takimi, i përcaktuar për t’u luajtur të premten në orën 19:00 në stadiumin “Flamurtari” do të shërbejë si mundësi në kohën që i vlen më së shumti bardhebluve për të shmangur hijet e rënies nga kategoria.
Skuadra e drejtuar nga Orges Shehi është në garë me kohën për të marrë sa më shumë pikë në 7 javët e mbetura të Superiores.
21 pikë janë në lojë për kryeqytetasit për të përmbysur pasqyrën e rezultateve të marra këtë sezon, ndërsa gara për mbijetesën sa vjen dhe bëhet më e fortë, ku distanca mes Bylisit të vendit të 7-të dhe Flamurtarit të vendit të 10-të është vetëm 6 pikë.
Pas Vlorës, Tirana do të luajë me skuadrat e pozicionuara në vendet e "Final Four" si Egnatia dhe Dinamo, ndërsa më pas do të luajnë derbin e fundit të sezonit me Partizanin në "Selman Stërmasi".