Ismajli: Jemi të dëshpëruar, na mungoi fati kundër Polonisë

- Bota Sot

Ismajli: Jemi të dëshpëruar, na mungoi fati kundër Polonisë

Mbrojtësi i Kombëtare shqiptare, Ardian Ismajli deklaroi se skuadra meritonte më shumë ndaj Polonisë dhe se i mungoi paksa fati.

“Besoj që kemi merituar shumë më shumë, kemi pasur shumë raste për të shënuar dhe normalisht që jemi shumë të dëshpëruar, sepse duke e parë si shkoi ndeshja, me të vërtetë që e kemi merituar kualifikimin për finalen e fazës play-off të Botërorit, por ndonjëherë futbolli është kështu, ta kthen shpinën dhe fati nuk ishte me ne, por shpresojmë për më shumë fat në të ardhmen. Kjo ndeshje na shërben për t’u rritur shumë më shumë si futbollistë dhe si grup për të ardhmen”, thotë Ismajli.

Ai shprehet se ndeshja e 31 marsit ndaj Ukrainës ka rëndësi dhe synohet një rezultat pozitiv.

“Çdo ndeshje e Kombëtares është e rëndësishme, kjo është një miqësore, nuk është e lehtë pas asaj ndeshje ndaj Polonisë, por ne jemi një ekip profesionist dhe i kemi kaluar edhe këto sfida dhe do të besojmë që me Ukrainën do të marrim një rezultat sa më pozitiv”.

Sakaq, mbrojtësi kuqezi shikon përpara dhe flet për sfidat e ardhshme të Kombëtares duke nisur që nga ediconi i ri i Ligës së Kombeve.

“Besoj se në shtator që nis Liga e Kombeve është një hap i rëndësishëm për neve në aspektin që duhet ta fitojmë patjetër grupin, pasi jemi ekip më cilësor se ekipet e tjera dhe siç e dimë, nëse fiton grupin e Ligës së Kombeve, udhëtimi është pak më i lehtë.

Aty do të fillojmë ne dhe më pas do të shohim edhe grupin për Europianin 2028, kështu që do t’ia lëmë kohës dhe do të shohim me çfarë kundërshtarësh kemi të bëjmë”, thekson Ismajli, teksa në fund ka edhe një mesazh falënderimi për të gjithë tifozët shqiptarë.

“Tifozët i falënderojmë nga zemra, gjithmonë janë numri jonë i dymbëdhjetë, sepse e patë edhe vetë në Poloni atë ambient të jashtëzakonshëm ku ishin 4-5 mijë tifozë shqiptarë në stadium dhe shumë të tjerë duke na shikuar nga televizioni.

Shpresoj që në të ardhmen t’ia kthejmë siç ua kemi kthyer me Euro 2024 dhe tani edhe me suksese të tjera”, tha Ismajli.



Read it all at Bota Sot