Inter Miami raportohet se ka kontaktuar përfaqësuesit e Casemiros për një transferim të mundshëm gjatë verës.
Mesfushori brazilian, i cili pritet të largohet nga Manchester United, mund t’i bashkohet Lionel Messit në MLS.
Inter Miami nuk ka humbur kohë në kërkimin e një transferimi të madh për verën, duke vendosur në shënjestër Casemiron.
Futbollisti brazilian kishte konfirmuar që në janar se synon të largohet nga Manchester United në fund të sezonit aktual.
Sipas specialistit të merkatos Fabrizio Romano, klubi amerikan tashmë ka kontaktuar me përfaqësuesit e lojtarit dhe bisedimet fillestare kanë nisur. Për më tepër, besohet se klubi i MLS ka paraqitur edhe një ofertë zyrtare për mesfushorin.
Një transferim drejt Miamit do të varet kryesisht nga paketa financiare, por ish-lojtari i Real Madridit është i intriguar nga ideja për t’iu bashkuar një projekti ambicioz të udhëhequr nga Lionel Messi.
Nëse marrëveshja realizohet, Casemiro do të luante për herë të parë në të njëjtin ekip me argjentinasin, pasi më parë janë përballur 21 herë si kundërshtarë në nivel klubesh dhe kombëtaresh.
Inter Miami konsiderohet si një nga favoritët për ta transferuar, pavarësisht interesimit nga klube të tjera në Evropë dhe nga Pro League e Arabisë Saudite.
Megjithëse Manchester United ka treguar përmirësim nën drejtimin e Michael Carrick, Casemiro duket i gatshëm për një kapitull të ri, me një kalim në Florida që po bëhet gjithnjë e më konkret.