Gjyqtar ndërkombëtar, Genc Nuza, shprehet më në fund për opinionin e futbollit të Kosovës.
Çfarë ka deklaruar Nuza?
“Në profesionin tonë si gjyqtarë futbolli, shpesh nuk na lejohet të bëjmë deklarata apo reagime publike për ndeshje.
Por kësaj radhe, si gjyqtar ndërkombëtar, ndjej se duhet të ndaj disa fjalë në prag të një ndeshjeje historike jo vetëm për futbollin e Kosovës, por për të gjithë shqiptarët.
Gjatë karrierës sime tash më 20-vjeçare si gjyqtar futbolli, kam përjetuar shumë momente të veçanta.
Një ndër më të paharrueshmet ishte debutimi historik në arenën ndërkombëtare si gjyqtar i FIFA-s duke përfaqësuar Kosovën.
Megjithatë, emocionet dhe ndjenjat që po i përjetoj tani, për këtë ndeshje që të gjithë po e presim me padurim, janë krejtësisht të veçanta, ndryshe nga çdo ndeshje apo arritje personale që kam pasur.
Me këtë postim, pavarësisht rezultatit, dëshiroj t’i falënderoj nga zemra të gjithë ata që kanë kontribuar e në veçanti lojtarët tanë që na kanë bërë të ëndërrojmë. Kam pasur fatin të njoh dhe të shoh nga afër shumicën prej tyre, rrugëtimin dhe rritjen e tyre nga futbolli i Kosovës, uroj që secili prej tyre të zhvillojë ndeshjen më të mirë të karrierës së tij.
Si gjyqtar, kurrë nuk mund t’u gëzohesh golave, por këtë të martë, në stadium apo jashtë tij, kudo që ta shikoj ndeshjen, do të jem tifozi më i zjarrtë dhe më i zëshmi, dhe sigurisht do të gëzohem për golat e Kosovës.
Këto ndeshje nuk luhen këto fitohen për të gjithë ata që u flijuan dhe sakrifikuan, që ne sot, të gjallët, në stadiumin mitik “Fadil Vokrri”, ta përjetojmë dhe ta gëzojmë ëndrrën e kualifikimit në Kupën e Botës 2026”, ka shkruar Nuza në profilin e tij në facebook.