Legjenda franceze befason: Kur mëson për historinë e Kosovës...

- Bota Sot

Legjenda franceze befason: Kur mëson për historinë e Kosovës...

Pas më shumë se dy vitesh që ishte shkarkuar nga Federata e Futbollit e Kosovës, ish-selektori i komëbtares dardane, Alain Giresse është rrëfyer për kohën e tij te “Dardanët”.

Ish-trajneri francez foli për gazetën e madhe franceze “L’Equipe”, duke u shprehur për kohën e tij të kaluar te Kosova, dhe se çfarë mendon tani për kombëtaren dardane.

Dy vite e tetë muaj pas largimit tuaj, Kosova është pranë të shkruajë kapitullin më të madh në historinë e saj. Çfarë do të thotë kjo për ju?

“Ata po arrijnë diçka mjaft të jashtëzakonshme dhe të rrallë për një vend kaq të ri.

Secili e përjeton jetën jashtë vendit në mënyrën e vet. Unë nuk kam qenë indiferent ndaj asaj që kam përjetuar atje, me ta, kështu që nuk jam indiferent as ndaj asaj që po arrijnë sot”.

Përparimi që kanë bërë në një kohë kaq të shkurtër është mjaft mbresëlënës…

“Absolutisht. Kur i sheh duke luajtur, nuk mund ta imagjinosh që kjo skuadër është kaq e re! Para disa vitesh, kjo skuadër ishte ende pak e papjekur.

U desh kohë për të ndërtuar diçka reale, me një identitet. Disa lojtarë kishin përvojë në turne të mëdhenj, por nuk kishin luajtur kurrë bashkë dhe nuk flisnin të njëjtën gjuhë. Ne komunikonim kryesisht në anglisht.

E vetmja gjë që i bashkonte ishte ky vend”.

Kur erdhët, a e imagjinonit një përparim kaq të shpejtë?

“Nuk e di. Ajo që më bëri përshtypje ishte kjo dëshirë për t’u zhvilluar dhe për t’u bërë më të strukturuar.

Më dukej se, sa i përket organizimit dhe logjistikës,

Federata po bënte gjithçka të mundshme për të siguruar kushtet më të mira për ne.

Kishim ambiente shumë të mira stërvitore, një qendër teknike në Prishtinë (kryeqyteti) ishte në ndërtim kur isha atje, një avion privat për udhëtime… Dhe qëndronim në hotelin më të mirë të qytetit”.

Çfarë dinit fillimisht për Kosovën?

“Jo shumë… Një mik kosovar më kishte ftuar atje në vitin 2012.

Gjithçka ishte shumë e re, jo ekipi, por shteti. Në vitin 2014, unë nisa organizimin e një ndeshjeje miqësore mes Senegalit (të cilin ai po e drejtonte dhe Kosovës), e cila në atë kohë kërkonte njohje dhe ende nuk ishte anëtare e FIFA-s.

Vite më vonë, i njëjti mik, kunati i të cilit ishte president i Federatës, më ftoi të shkoja.

Nuk e njihja shumë kontekstin apo futbollin atje, por thashë po”.

Pse mendoni se kjo skuadër është e veçantë?

Ndjeva një përkushtim të madh nga lojtarët për ta veshur këtë fanellë.

Kur mëson për historinë e Kosovës, të shënuar nga lufta para pavarësisë në vitin 2008, e kupton se përfaqësimi i këtij ekipi është një përvojë shumë e fuqishme. Ka një lidhje të fortë emocionale.

Ata i thoshin vetes:

“Ky është vendi ynë”.

Ky kontekst i jep patjetër një dimension tjetër rolit të trajnerit të kombëtares…

“E dini, më ka pëlqyer shumë të trajnoj atje. Kur shkon jashtë vendit, duhet të përshtatesh me vendin dhe me atë që përfaqëson skuadra për atë vend. Aty ishte një kontekst shumë i veçantë dhe shumë intensiv”.

Si keni mbetur i lidhur me kombëtaren pas largimit tuaj?

“U ktheva për t’i parë duke luajtur në Andorrë në tetor të vitit 2023 (fitore 3-0).

I pashë sërish lojtarët, bisedova me disa prej tyre, përfshirë Edon Zhegrovën, me të cilin vazhdoj të kem kontakt.

Kam ruajtur lidhje edhe me presidentin dhe trajnerin (gjermanin Franco Foda, i cili mori drejtimin në vitin 2024). Sigurisht që çdo gjë ka një fund, por marrëdhëniet mbeten”.



Read it all at Bota Sot