Presidentja Osmani qëndroi në Has, viziton Teqenë Halvetije në Lukijë

- Gazeta e Prizrenit

Presidentja Osmani qëndroi në Has, viziton Teqenë Halvetije në Lukijë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka qëndruar sot në Has, ku vizitoi fshatin Lukijë, përkatësisht Teqenë Halvetije, raporton Gazeta e Prizrenit. 

Gjatë kësaj vizite, ajo u prit nga shejh Smaili, në një takim të mbushur me respekt dhe vlerësim të ndërsjellë.

“Me kënaqësi të veçantë dhe mirënjohje të thellë, patëm nderin të mirëpresim në konakun tonë të ri Presidenten e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani Sadriu.

Kjo vizitë nuk përbën vetëm një ngjarje të rëndësishme për familjen tonë, por edhe një moment të rrallë respekti dhe vlerësimi për traditën, vlerat dhe trashëgiminë shpirtërore që ne përfaqësojmë me përkushtim.

Me ndjenjë të thellë respekti, kujtuam edhe Babën tonë të ndjerin, Shejh Rexhë Shehun, të cilin Presidentja e kishte njohur nga afër. Ky takim u shndërrua në një çast të veçantë kujtese dhe nderimi për jetën, veprat dhe vlerat e tij të çmuara, të cilat kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në shërbim të së mirës dhe të komunitetit.

Shprehim falënderimet tona më të sinqerta për Presidenten për këtë vizitë të çmuar, për respektin e treguar, si dhe për punën, angazhimin dhe përkushtimin e saj të vazhdueshëm në të mirë të shtetit.

Një mirënjohje e veçantë edhe për fjalët e ngrohta dhe inkurajuese që ndau me ne gjatë kësaj vizite.

Kjo ditë do të mbetet e gdhendur përgjithmonë në kujtesën tonë si një moment i veçantë, i mbushur me nder, respekt dhe bekim për familjen tonë”, ka shkruar shejhu.



Read it all at Gazeta e Prizrenit