Sulmuesi Ernest Muçi nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Silvinjo për ndeshjen miqësore ndaj Ukrainës, që do të zhvillohet më 31 mars.
Sipas njoftimit nga Federata Shqiptare e Futbollit, lojtari ka shfaqur probleme fizike dhe nuk ka marrë pjesë në seancat stërvitore me pjesën tjetër të ekipit. Për këtë arsye, është vendosur largimi i tij i parakohshëm nga grumbullimi i kuqezinjve.
Muçi do të rikthehet menjëherë pranë klubit të tij, Trabzonspor, ku pritet t’u nënshtrohet ekzaminimeve të mëtejshme mjekësore për të përcaktuar shkallën e dëmtimit.
Sulmuesi u rikthye në radhët e Kombëtares për ndeshjet e fazës “play-off”, ku në sfidën e fundit ndaj Polonisë u aktivizua si zëvendësues gjatë pjesës së dytë. Ky është largimi i tretë nga radhët e Shqipërisë pas Ylber Ramadanit dhe Arlind Ajetit.
Gjithashtu, në seancën e sotme stërvitore nuk mori pjesë edhe mesfushori Jasir Asani, i cili ka pësuar një goditje në gjurin e djathtë gjatë stërvitjes së djeshme.
Stafi mjekësor po e mban në monitorim të vazhdueshëm gjendjen e tij dhe nesër do të vlerësohet nëse futbollisti do të jetë i gatshëm për t’u rikthyer në stërvitje.
Ndeshja miqësore mes Ukrainës dhe Shqipërisë do të zhvillohet më 31 mars, në orën 20:45, në stadiumin Estadi Ciutat de València, në Valencia.