Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar sot seancën e radhës stërvitore në kuadër të përgatitjeve për finalen e madhe të “play-off”-it për kualifikim në Kupën e Botës 2026 kundër Turqisë, që luhet të martën, në orën 20:45 në stadiumin "Fadil Vokrri", ku pritet të krijohet një atmosferë e paparë deri më tash në tribuna.
Në seancën e sotme, përzgjedhësi Franco Foda ka vënë theks të veçantë në aspektet taktike të lojës, teksa atmosfera në kampin e Dardanëve vazhdon të jetë shumë pozitive dhe motivuese.
Ekipi po punon me përkushtim maksimal për sfidën më të rëndësishme në histori.
Sulmuesi i Kombëtares, Fisnik Asllani, është shprehur optimist para kësaj sfide vendimtare, duke theksuar se skuadra është në gjendje shumë të mirë shpirtërore pas fitores së madhe në Bratisllavë ndaj Sllovakisë.
“Atmosfera është shumë e mirë në ekip. Besoj se fitorja na ka dhënë shumë vetëbesim dhe të martën ndaj Turqisë shpresoj të bëjmë një lojë shumë të mirë. Do t’i marrim gjithë tifozët afër vetes dhe shpresojë të fitojmë ndeshjen dhe të shkojmë në Botëror”, ka thënë Asllani.
Ai ka shtuar se skuadra nuk ndikohet nga roli i favoritit të kundërshtarit, duke theksuar se gjithçka vendoset në fushë.
“Nuk më intereson mua, e besoj as ekipit. Në fund shikohet në fushë se çfarë bëhet.
Ata mund të jenë sa të duan favorit. Ka qenë edhe Sllovakia edhe Suedia. Ne do ta kryejmë punën tonë.
Do ta japim maksimumin në fushë dhe të shohim pas përfundimit të ndeshjes”, ka shtuar ai.
Asllani pret përkrahje të madhe nga tifozët, duke premtuar angazhim maksimal nga ana e futbollistëve.
Pres të na ndihmojnë sa të munden, të na përkrahin brenda fushës, jashtë fushës. Ne do ta japim maksimumin për ata, do ta lëmë zemrën në fushë. Ne me ata e ata me neve do ta fitojmë ndeshjen të martën”, është shprehur Asllani
Edhe portieri i Kombëtares, Arijanet Muriq, ka konfirmuar gatishmërinë e ekipit për këtë përballje historike, duke premtuar angazhim maksimal për arritjen e objektivit.
“Jemi gati për ndeshjen dhe besoj që do të jetë një ditë e bukur në Prishtinë. Do të japim gjithçka nga vetpa për të arritur fitoren”, ka thënë Muriq
Ai ka rikujtuar rrugëtimin deri në finale, duke theksuar besimin e vazhdueshëm të skuadrës.
“Sigurisht që kemi besuar gjithmonë.
Siç kam thënë edhe në intervistat e mëparshme, deri në momenti ne fundit asgjë nuk përfundon dhe ja ku jemi tani.
Tash gjithçka varet nga ne.
Mendoj që e kemi merituar të jemi këtu dhe do të japim maksimumin për ta merituar edhe fitoren”, është shprehur ai.
Muriq ka falënderuar tifozët për mbështetjen e vazhdueshme, duke shpresuar që skuadra t’i bëjë krenarë në këtë sfidë vendimtare.
“Sa i përket tifozëve, mbështetja e tyre ka qenë e jashtëzakonshme. Kanë qenë gjithmonë pranë nesh dhe na kanë dhënë forcë në çdo moment. Jemi shumë mirënjohës për kë të dhe shpresoj që t’i bëjmë krenarë duke dhënë gjithçka në fushë”, ka përfunduar ai.
Dardanët janë vetëm një hap larg realizimit të ëndrrës historike, kualifikimit në Kupën e Botës 2026.
Stërvitja e fundit para ndeshjes do të zhvillohet nesër në orën 11:00, ndërsa paraprakisht, në orën 10:30, do të mbahet konferenca për media.