Zbardhet biseda e përgjuar e ministrit të Jashtëm hungarez me Lavrov për heqjen e sanksioneve ndaj oligarkut rus!

- Bota Sot

Zbardhet biseda e përgjuar e ministrit të Jashtëm hungarez me Lavrov për heqjen e sanksioneve ndaj oligarkut rus!

Një telefonatë e regjistruar midis Ministrit të Jashtëm hungarez Péter Szijjártó dhe Ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov, në të cilën zyrtari hungarez duket se ofron ndihmë në heqjen e sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj një të afërmi të një oligarku rus, është publikuar nga një ekip gazetarësh investigativë.

Në audion 94-sekondëshe, e cila u publikua në kanale të ndryshme online dhe u zbulua nga portali investigativ ‘Insider’, Lavrov i kërkon Szijjártó të ndihmojë në heqjen e Gulbahor Ismailova – motrës së oligarkut rus Alisher Usmanov – nga lista e sanksioneve të Bashkimit Evropian.

Homologu i tij hungarez përgjigjet me droje dhe thotë se është i gatshëm të çojë përpara kërkesat e Moskës.

“Po ju telefonoj me kërkesë të Alisherit dhe ai më kërkoi t’ju ​​kujtoja se po punonit për çështjen e motrës së tij”, thuhet se i ka thënë Lavrov Szijjártó.

Ministri hungarez përgjigjet se “së bashku me sllovakët, po i paraqesim një propozim Bashkimit Evropian për heqjen e saj”.

Publikimi i bisedës vjen në një kohë të presionit të shtuar politik mbi Szijjártó, pas një raporti të “Uashington Post” se ai dyshohet se ka ndarë informacione të ndjeshme me Rusinë gjatë takimeve të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së në Bruksel.

Çështja merr një rëndësi të veçantë ndërsa Hungaria shkon drejt zgjedhjeve parlamentare më 12 prill, me ndikimin e huaj dhe marrëdhëniet e qeverisë me Moskën si çështje kyçe në debatin parazgjedhor.

Biseda midis Szijjártó dhe Lavrov u regjistrua më 30 gusht 2024, nga persona të panjohur, menjëherë pasi ministri hungarez u kthye në Budapest nga Shën Petersburgu. Në audio, Szijjártó thotë se do të paraqesë një propozim për të hequr emrin e Ismayilovas nga lista e sanksioneve “javën e ardhshme”, duke vënë në dukje se “me fillimin e periudhës së re të shqyrtimit, ai do të vihet në rend të ditës – ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta hequr atë”.

Sipas rregullave të BE-së, sanksionet rinovohen çdo gjashtë muaj me konsensus të shteteve anëtare. Ismayilova, së bashku me biznesmenin rus Vyacheslav Moshe Kantor dhe Ministrin e Sportit Mikhail Degtyarev, u hoqën përfundimisht nga lista e sanksioneve në mars 2025.

Szijjarto nuk e mohoi, por minimizoi përmbajtjen e bisedës.

Bashkimi Evropian kishte ndërprerë marrëdhëniet politike me Rusinë pas pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022 dhe u ka bërë thirrje shteteve anëtare që të zvogëlojnë gradualisht varësinë e tyre nga lëndët djegëse fosile ruse. Pavarësisht udhëzimeve përkatëse, Hungaria dhe Sllovakia mbajnë kontakte të rregullta të nivelit të lartë me zyrtarët rusë dhe vazhdojnë të importojnë sasi të konsiderueshme të energjisë ruse.

Pasi regjistrimi u bë publik, Szijjártó minimizoi rëndësinë e rastit dhe akuzoi shërbimet e huaja të inteligjencës se po monitoronin bisedat e tij telefonike.

“Është e ditur prej kohësh që shërbimet e inteligjencës së huaja – me pjesëmarrjen aktive të gazetarëve hungarezë – po përgjojnë bisedat e mia telefonike. Sot përgjuesit bënë një tjetër “zbulim” të madh: ata vërtetuan se unë them të njëjtat gjëra në publik dhe në telefon. Punë e mirë!”, tha ai në një postim.

Ai argumentoi se qeveria hungareze nuk ka rënë kurrë dakord për sanksione që mund të ndikojnë negativisht në sigurinë energjetike të vendit, ndërsa deklaroi se kundërshton vendosjen e sanksioneve ndaj individëve kur ato nuk shërbejnë për një qëllim të qartë.

“Ne do të vazhdojmë të ndjekim këtë qasje në të ardhmen”, vuri në dukje ai.

Komisioni Evropian ka deklaruar se ankesat për qëndrimin e Szijjártó gjatë takimeve të Këshillit të Punëve të Jashtme janë shqetësuese dhe kërkojnë sqarime nga Budapesti.

Në të njëjtën bisedë, Lavrov raportohet të ketë thënë se ministri hungarez po merr mbulim të gjerë nga media ruse”

“A thashë diçka të gabuar?” thuhet se pyet Szijjarto, me Lavrovin që përgjigjet:

“Jo. Ata thjesht thonë se ju mbroni realisht interesat e vendit tuaj”.



Read it all at Bota Sot