Kombëtarja e Kosovës ka humbur mundësinë për një paraqitje historike në Kupën e Botës 2026, pasi u mposht nga Turqia në ndeshjen vendimtare të play-off-it, në një përballje ku fituesi siguronte kualifikimin.
Skuadra kosovare, që vetëm një dekadë më parë nisi rrugëtimin e saj në arenën ndërkombëtare, nuk arriti të realizojë ëndrrën për t’u bërë pjesë e turneut më të madh të futbollit botëror dhe për këtë ka shkruar mediumi prestigjioz BBC.
Ndeshja e zhvilluar të martën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” ishte e baraspeshuar në pjesë të caktuara, por Turqia tregoi më shumë përvojë në momentet kyçe, duke shfrytëzuar rastet e saj dhe duke siguruar fitoren që e dërgon në Kupën e Botës.
“Disfata i dha fund ëndrrës së Kosovës për një paraqitje të parë në Kupën e Botës më pak se 10 vjet pasi luajtën ndeshjen e tyre të parë kualifikuese për Kupën e Botës” – shkroi BBC.
Më tutje, mediumi tregon për vitin kur u shpall pavarësia e Kosovës dhe kur e zhvilloi ndeshjen e parë miqësore nga FIFA, si dhe për ndeshjen e dytë atë kundër Turqisë.
“Kombi ballkanik, i cili shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, u lejua të luante ndeshjen e parë nga FIFA në mars të vitit 2014 - një barazim 0-0 me Haitin. E dyta e tyre ishte një humbje 6-1 ndaj Turqisë” – bëri të ditur BBC.
Ndërkohë, për rrugëtimin e Kombëtares së Kosovës deri në prag të kualifikimit e cilësoi si një fushatë mbresëlënëse, se si rriti shpresat për kualifikimin historik duke përfunduar vetëm tri pikë pas Zvicrës dhe kur triumfoi ndaj Sllovakisë me rezultat 4-3.
“Kosova kishte arritur deri në këtë pikë pas një fushate mbresëlënëse kualifikuese, duke përfunduar vetëm tre pikë pas Zvicrës në grup dhe duke siguruar një vend në play-off. Në gjysmëfinale, ajo triumfoi në një ndeshje dramatike 4-3 ndaj Sllovakisë, duke rritur shpresat për një kualifikim historik” – shkroi tutuje BBC.
Kosova pësoi humbje ndaj Turqisë me rezultat 1-0, në ndeshjen e zhvilluar të martën, në Prishtinë.