“Heroi i heshtur” që hapi rrugën e Kosovës drejt FIFA-s: Historia e panjohur e Hasan Kadriut

- Bota Sot

“Heroi i heshtur” që hapi rrugën e Kosovës drejt FIFA-s: Historia e panjohur e Hasan Kadriut

Një histori e jashtëzakonshme, e mbetur për vite të tëra në hije, tashmë vjen në dritë përmes një rrëfimi që prek jo vetëm sportin, por edhe vetë çështjen kombëtare. Bëhet fjalë për Hasan Kadriun, njeriun që në heshtje hodhi themelet e ndërkombëtarizimit të futbollit kosovar dhe hapi dyert drejt institucioneve më të mëdha botërore të sportit.

Dokumentari “Heroi i heshtur”, i realizuar nga Kastriot Saqipi, sjell në fokus jetën dhe veprimtarinë e Kadriut, duke zbuluar dimensione të panjohura të një figure që, sipas autorit, la gjurmë të pashlyeshme në historinë e futbollit shqiptar dhe më gjerë.

Sipas Saqipit, rrugëtimi i Hasan Kadriut ishte i jashtëzakonshëm dhe i lidhur ngushtë me emra të mëdhenj të historisë kombëtare si Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Ai thekson se Kadriu e kishte kthyer avancimin e shqiptarëve në sport në një mision jetësor.

Saqipi zbulon se Kadriu ishte ndër menaxherët e parë shqiptarë në botë, në një kohë kur kjo kërkonte mjete të mëdha financiare dhe lidhje të fuqishme ndërkombëtare. Për më tepër, ai kishte krijuar miqësi të afërt me figura kyçe të futbollit botëror si Sepp Blatter, duke ndikuar drejtpërdrejt në afirmimin e futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Kush ishte menaxheri i parë shqiptar në mesin e 500 menaxherëve në botë

“Me ka shtyrë historia, që ka punuar Hasani në heshtje pa e ditur askush dhe jam mahnitur me historinë e tij. Për këtë arsye edhe e kam bërë dokumentarin, të cilin ia kam dërguar edhe redaksisë suaj. Hasani ka qenë mik i ngushtë i Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës. Hasani e merr si çështje kombëtare avancimin e shqiptarëve në sport. Është menaxheri i parë shqiptar në mesin e 500 menaxherëve në botë që kanë ekzistuar në atë kohë, sepse është dashur një shumë e madhe, 2 apo 3 milionë marka për t’u bërë menaxher dhe ka qenë i vetmi shqiptar, i cili është bërë menaxher dhe që e ka pasur mik të ngushtë Sepp Blatter, i cili ishte kryetari i FIFA-s, njeriu më me ndikim në futbollin botëror dhe këtu ai e ka bërë avancimin e futbollit të Shqipërisë dhe Kosovës”, thotë Saqipi.

Hasani i ka afirmuar ish-futbollistët më të njohur shqiptarë, tregon Saqipi.

Saqipi: I ndihmonte futbollistët shqiptarë pa marrë asnjë cent

“Në atë kohë, për herë të parë e kanë çuar historikun dhe ka filluar procesi për ta futur Kosovën në FIFA. Historikun, me të cilin ka pasur marrëdhënie me Agim Ademin në atë kohë, i cili e ka sjell historikun dhe ia kanë dorëzuar Sepp Blatterit për ta anëtarësuar Kosovën në FIFA, veçse ia ka arritur qëllimin me Shqipërinë. Është karakteristikë e Hasanit, sepse jashtëzakonisht i ndihmon, i merr si mision futbollistët shqiptarë, i shet pa ia marrë asnjë cent. Hasani i ka afirmuar ish-futbollistët më të njohur shqiptarë: Alban Bushi, Rudi Vata, Kushtrim Munishi, Muharrem Sahiti, edhe që flasin në këtë dokumentar me pasion dhe qajnë edhe pas 30 viteve për Hasanin. Është njeri që s’i ka marrë asnjë cent. Mos të harrojmë se Hasani ka bërë kontratën në Barcelonë për Stoichkov, i cili ka fituar Topin e Artë në atë kohë si futbollisti më i fuqishëm në botë”, thotë Saqipi

Kadriu kishte rol të rëndësishëm edhe në promovimin e shumë futbollistëve shqiptarë si Alban Bushi, Rudi Vata, Kushtrim Munishi dhe Muharrem Sahiti, të cilët, sipas Saqipit, vazhdojnë ta kujtojnë me emocion edhe pas dekadash.

Një ndër momentet kyçe, sipas Saqipit, ishte nisja e procesit për anëtarësimin e Kosovës në FIFA, në bashkëpunim edhe me Agim Ademin, ku dokumentacioni përkatës i ishte dorëzuar vetë Blatterit.

Vdekja e Kadriut, për autorin e dokumentarit, mbetet e dyshimtë dhe enigmatike.

Saqipi: Vdekja e tij mbetet enigmatike dhe e dyshimtë

“Stoichkovin e ka pasur mik të ngushtë, Eusebion të Portugalisë, i cili i vetmi ka arritur ta markojë si duhet, që ishte lojtari më i mirë në botë, por edhe Eusebio ka fituar medalje “Topin e artë”. Por mos të harrojmë se aq respekt UEFA ka pasur për Eusebion, saqë edhe një ndër Topat e Artë ia dorëzon edhe Ronaldos. Jashtëzakonisht ka qenë sfiduese dhe mbetet enigmatike. Vdekja e tij përshkruhet zyrtarisht si aksidentale, ka pasur një ndeshje me makinë, mirëpo miqtë e tij, të cilët flasin në dokumentar, ata shprehin dyshime, shpreh dyshime edhe Alban Bushi... Shërbimet sekrete apo UDB-ja serbe e kanë mënjanuar prej skenës politike. Gjatë hulumtimit jemi munduar me shku edhe me marrë raporte edhe nga Bullgaria, por ka qenë rrezik dhe ka qenë kohë Covidi atëherë kur është realizuar dokumentari, mirëpo miqtë e tij shprehin dyshime se Hasan Kadriu nuk ka vdekur nga vdekja aksidentale, por është likuiduar për arsye se është njeriu që e nisi anëtarësimin e Kosovës dhe avancimin e futbollit shqiptar të Shqipërisë në FIFA. Ata si duket e mënjanuan për të mos pasur sukses.”

Pavarësisht kësaj, kontributi i Hasan Kadriu vazhdon të vlerësohet edhe sot, ndërsa puna e tij u pasua nga figura të tjera të rëndësishme si Fadil Vokrri, duke e çuar përpara rrugëtimin e futbollit kosovar drejt sukseseve ndërkombëtare.

Saqipi: Hasan Kadriu përkujtohet me respekt

“Por si duket suksesi i Hasanit nuk u ndal. Miq të tij flasin edhe sot dhe që janë dëshmitarë të gjallë: edhe Agim Ademi, kryetar i Federatës, edhe Muharrem Sahiti, të cilët kanë mjaft informacione dhe flasin me shumë pasion për të. Hasani vdiq në vitin 1998, por për fat të mirë punën e tij e vazhdon Fadil Vokrri, vazhdon Federata e Shqipërisë, e njohin të gjithë dhe ia dinë për nder, sepse Hasani ka investuar shumë për sportin e Shqipërisë. Vlen ta theksoj një moment në vitin 1997 kur ishin trazirat në Shqipëri për Evropianin që kishte të luajë Shqipëria kundër Gjermanisë, për shkak të trazirave Gjermania refuzoi të luajë me Shqipërinë, sepse ishte rrezik. Hasani e mori me qira stadiumin në Spanjë, të Granadës, dhe aty zhvilloi si vendas ndeshjen me Gjermaninë. Hasani ishte ai që e bëri ekipin kombëtar për herë të parë një rezultat shumë të fuqishëm, e nxorën me Gjermaninë 4 me 3, fituan gjermanët, mirëpo bënë një lojë mbresëlënëse që mahniti Evropën, nga dolën këta futbollistë”, tha Saqipi

Saqipi kujton një detaj interesant nga veprimtaria e Hasan Kadriut kur futbollistët nuk donin të ktheheshin duke kërkuar azil, por ai i bindi që të kthehen në atdhe.

Saqipi: Pa kontributin e Hasan Kadriut do të ishim shumë më mbrapa

“Pastaj i ndodh një fatkeqësi ku 9 lojtarë shqiptarë ikin, marrin azil dhe nuk duan të kthehen në Shqipëri. Hasani shkon një nga një, i zë ata edhe i merr e i fut në aeroplan, thotë nuk mund të shkelim mbi flamurin kombëtar dhe krejt i kthen me aeroplan privat, të cilin ai e paguan dhe u premton që do t’i qesë nëpër botë. Një numër kaq shumë të madh të lojtarëve që i shet Hasani nëpër botë dhe luajnë nëpër klube të mëdha, sot është rezultati që e presim ta shohim Kosovën në Amerikë, nëse nuk ishin ato hapa ndoshta ishim shumë më mbrapa. Ka qenë jashtëzakonisht emocionale sepse kur kemi filluar ta bëjmë dokumentarin ka qenë kohë Covid, kohë bllokade, ne kemi shkuar në Shqipëri, në Zvicër, Gjermani, për t’i ndjekur njerëzit me të cilët ka punuar Hasani dhe kemi kuptuar shumë shumë gjëra prej Hasanit, i cili ka dhënë miliona marka për të ardhur deri këtu, çka është e rëndësishme prej asnjë shqiptari nuk ka marrë asnjë cent dhe secilin e ka ndihmuar deri në maksimum, ka qenë një djalë shumë i bukur dhe i dashur për shumë vajza, ka udhëtuar nëpër botë”, tha Saqipi.



Read it all at Bota Sot