Padeli po fiton gjithnjë e më shumë terren në Shqipëri dhe këtë e dëshmoi më së miri Kampionati Kombëtar 2026, i cili u përmbyll me sukses pas tri ditësh intensive garash.Aktiviteti mblodhi rreth 120 sportistë nga e gjithë vendi, duke krijuar një atmosferë dinamike dhe konkurruese. I organizuar nga Federata Shqiptare e Padelit, me mbështetjen e Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, kampionati reflektoi qartë angazhimin institucional për zhvillimin dhe promovimin e sporteve të reja në vend.
Për sa u përket rezultateve, në kategorinë e parë për meshkuj triumfoi dyshja Alensio Serjani – Fjoralb Curri, ndërsa në vend të dytë u klasifikuan Martin Muedini – Serxho Muzhaqi. Te femrat kampione u shpall dyshja Rea Qinami – Elonia Gjata, ndërkohë Albana Meta – Ida Goxha u ngjitën në shkallën e dytë të podiumit.
Në kategorinë e dytë fitorja shkoi për Ardi Baku – Bledian Ismaili, ndërsa Leonard Progni – Erald Hoxha zunë vendin e dytë. Duke kaluar në kategorinë e tretë, vendi i parë i taki dyshes Rei Radheshi – Flori Rama, ndërsa Devi Metaj – Tedi Mara u renditën në vendin e dytë.
Në fund të aktivitetit ceremonia e ndarjes së çmimeve u nderua nga figura të rëndësishme të sportit shqiptar, mes tyre Presidenti i Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, Presidenti i Federatës së Ping Pongut Krenar Dila, Presidenti i Federata Shqiptare e Padelit Erjon Këri, Sekretari i Përgjithshëm Ersild Vladi si dhe përfaqësuesi i sportistëve në KOKSH, Indrit Çullhaj.
Ky kampionat përbën një hap të rëndësishëm në konsolidimin e padelit në Shqipëri, duke reflektuar jo vetëm rritjen e interesit nga komuniteti sportiv, por edhe nivelin në rritje të garuesve. Me evente të tilla, padeli po shndërrohet gradualisht në një nga sportet më të preferuara në vend.