Italia nuk do të marrë pjesë në Botëror për edicionin e tretë radhazi dhe tashmë përtej Adriatikut ka nisur në kor gjetja e fajtorit.
Ai për shumëkënd, është presidenti i Federatës Italiane, Gabriele Gravina, i cili prej vitesh ka ndërtuar një sistem federal i cili nuk prodhon më talente por mendon vetëm për kolltukun.
Protesta në rrjetet sociale ka qenë e zëshme, ndërsa Gravina i qetë deklaroi se do priste Këshillin Federal para se të merrej ndonjë vendim për të ardhmen.
Situatë që nuk u ka pëlqyer tifozëve, aq sa disa prej tyre, kanë vendosur të protestojnë para dyerve të Federatës Italiane.
Zyra e saj në Romë janë goditur me vezë nga protestuesit, të cilët kanë lëshuar edhe thirrje kundër Gravinas duke kërkuar dorëheqjen.
Paralelisht, raportohet se presidenti i Lacios, Klaudio Lotito, i cili është pjesë e Këshillit Federal, ka nisur të bëjë fushatë për të siguruar votat që në mbledhjen e nesërme të shkarkohet menjëherë Gravina nga detyra, pa pritur një dorëheqje të tij të mundshme.