Java e 29-të e Kategorisë së Parë premton emocione të forta dhe përballje që mbartin peshë të madhe në fatet e skuadrave, ndërsa sezoni po shkon drejt përfundimit.
Tifozët do të kenë mundësinë të ndjekin një tjetër kapitull të bukur të futbollit shqiptar, ku çdo pikë vlen më shumë se kurrë.
Ditën e shtunë, në orën 15:00, vëmendja shpërndahet në disa takime si Skënderbeu-Iliria, Laçi-Burreli dhe Pogradeci-Kastrioti pritet të dhurojnë ritëm dhe rivalitet të fortë.
Ndërkohë, Lushnja-Korabi mbart interes të veçantë për shkak të objektivave të ndryshme të skuadrave, por edhe për faktin që Lushnja nuk fiton prej 10 ndeshjesh radhazi dhe suksesi i fundit daton më 17 janar, po ndaj Korabit në stadiumin Roza Haxhiu.
Në RTSH 2, do të keni mundësi të ndiqni takimin Kukësi-Apolonia. Nëse disa javë më parë flisnim për një skuadër të rënë nga Kategoria, tani gjërat kanë ndryshuar, ardhja e Bledi Kadiut ka ndryshuar tërësisht skuadrën. Verilindorët nuk mposhten prej 5 ndeshjesh radhazi me tre barazime dhe dy fitore e ndaj Apolonisë synohet maksimumi për të parakaluar në klasifikim kundërshtarin ku diferenca është dy pikë larg.
Ditën e dielë, java mbyllet me takimin Luftëtari-Besa, një sfidë që do të transmetohet në RTSH Sport në orën 15:00 dhe që pritet të jetë e luftuar në çdo cep të fushës.
Të dyja skuadrat do të kërkojnë të shfrytëzojnë çdo mundësi për të siguruar pikë të rëndësishme në këtë fazë delikate të kampionatit. Kavajasit për të shpresuar për një vend në Play-Off dhe gjirokastritët për të shpëtuar sezonin.