Shqipëria përballë Italisë, Uellsit dhe Norvegjisë

- Bota Sot

Shqipëria përballë Italisë, Uellsit dhe Norvegjisë

Një tjetër aktivitet i rëndësishëm ndërkombëtar do të zhvillohet në Shqipëri gjatë muajit prill, duke e çuar në tre numrin e turneve që organizohen nga Federata e Futbollit në vendin tonë përgjatë këtij muaji.

Turneu “UEFA Development” për vajza U-16 do të mbahet në Tiranë në datat 11, 13 dhe 16 prill, me pjesëmarrjen e Shqipërisë, Italisë, Norvegjisë dhe Uellsit. Të gjitha ndeshjet do të luhen në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.

Kombëtarja shqiptare U-16, e drejtuar nga trajnerja Cyme Lulaj, do ta nisë rrugëtimin në këtë turne më 11 prill ndaj Uellsit, në ora 15:00. Në sfidën e dytë, më 13 prill, vajzat kuqezi do të përballen me Norvegjinë, sërish në ora 15:00, ndërsa turneu do të mbyllet më 16 prill me ndeshjen ndaj Italisë.

Ky turne është një mundësi e mirë për evidentimin dhe zhvillimin e talenteve të reja, si nga kampionati vendas ashtu edhe nga futbollistet shqiptare që aktivizohen jashtë vendit.

Njëkohësisht, turneu shërben edhe si një test i vlefshëm për skuadrën në përballje me përfaqësuese cilësore të së njëjtës grupmoshë.

Kalendari i ndeshjeve

Itali–Norvegji, 11 prill, ora 12:00, “Shtëpia e Futbollit”

Shqipëri–Uells, 11 prill, ora 15:00, “Shtëpia e Futbollit”

Uells–Itali, 13 prill, 12:00, ora “Shtëpia e Futbollit”

Shqipëri–Norvegji, 13 prill, ora 15:00, “Shtëpia e Futbollit”

Shqipëri–Itali, 16 prill, ora 12:00, “Shtëpia e Futbollit”

Norvegji–Uells, 16 prill, ora 15:00, “Shtëpia e Futbollit”



Read it all at Bota Sot