Sandro Tonali ka qenë prej shumë kohësh një ëndërr e Juventusit, që synonte të kthente mesfushorin në Itali.
Rinovimi i tij me Njukasëllin nuk u kishte dhënë gjithsesi fund zërave, duke lënë të hapur një rreze shprese për një kthim të italianit në Serinë A.
Por sipas mediave britanike, vetë Tonali nuk e ka mendjen te Seria A, pasi synon që të bëhet pjesë e La Liga në të ardhmen.
“TeamTalk” bën të ditur se përfaqësuesit e lojtarit ia kanë ofruar atë Real Madridit, duke qenë të ndërgjegjshëm se madrilenët po kërkojnë një futbollist me tiparet e tij.
Megjithatë, në klubin spanjoll për momentin nuk e shohin Tonali si prioritet dhe po fokusohen në objektiva të tjerë. Ndaj gjithçka mbetet e hapur për të ardhmen e mesfushorit italian, i cili kërkon një klub me ambicie për të fituar trofe.