Manchester City ka nisur të projektojë të ardhmen në pankinë, ndërsa shtohen zërat se sezoni 2025/26 mund të jetë i fundit për Pep Guardiola në krye të “Citizens”.
Sipas raportimeve të Daily Telegraph, drejtuesit e klubit anglez kanë përpiluar një listë të ngushtë me tre emra që mund të marrin drejtimin e skuadrës pas largimit të teknikut spanjoll. Në këtë “listë” bëjnë pjesë Xabi Alonso, Enzo Maresca dhe Cesc Fàbregas, aktualisht në krye të Como.
Zgjedhja e këtyre emrave nuk është rastësore.
Të tre trajnerët kanë lidhje direkte ose indirekte me Guardiolën dhe përfaqësojnë një profil që garanton vazhdimësi në filozofinë e lojës që ka sjellë sukses të jashtëzakonshëm për City-n në Premier League dhe në arenën europiane.
Guardiola ka ndërtuar një epokë të artë te Manchester City, duke fituar trofe të shumtë dhe duke transformuar stilin e lojës në futbollin anglez. Megjithatë, sipas burimeve pranë klubit, drejtuesit kanë nisur të planifikojnë tranzicionin.
Strategjia duket e qartë: nuk kërkohet një “Guardiola i ri”, por një trajner që mund të evoluojë projektin ekzistues pa e përmbysur atë.
Në këtë kontekst, emra si Fàbregas, Alonso dhe Maresca shihen si profil ideal për të vazhduar trashëgiminë e një prej periudhave më dominuese në historinë e klubit.