Nuk ka të tjerë si ata. Yjet e Paris SG janë më të paguarit në Francë, e madje me diferencë me të tjerët, ndonëse gara për titull paradoksalisht është e hapur.
Klubi kryeqytetas, i financuar nga miliardat e Lindjes së Mesme, ka 13 futbollistët më të paguar në Ligën e Parë, duke mos u lënë asnjë shpresë rivalëve në këtë renditje.
Usman Dembele është më i paguari me 1.5 milionë euro në muaj rrogë.
Pas tij është njëri nga kapitenët, Markinjos, me më shumë se 1.1 milionë euro në muaj, e pastaj vijnë me radhë, Hakimi, Lykas Ernandez, Zaire-Emeri, Vitinja, Kvarackelia, Nevesh, Mendesh, Paço, Fabian Ruiz, Barkola dhe Due, me rroga nga 1 milionë deri në 500 000 euro në muaj.
Në total, PSG ka një bordero të rrogave me vlerë mbi 185 milionë euro, pa përfshirë shpërblimet.
Sa për krahasim, Monako që është gjithashtu klub I pasur, ka nivel rrogash deri në 63 milionë euro në sezon, pra gati tri herë më pak.
Gjithsesi, kampionia e Francës paguan më pak sesa gjigandi gjerman, Bajern, se Reali, Barcelona apo Mançester Siti, duke qenë në nivel të përafërt me Arsenalin..