Vetëm 70 ditë përpara nisjes së Botërorit, që do të zhvillohet në Meksikë, Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, kompania e statistikave Opta ka publikuar parashikimet e saj për fituesin e turneut. Sipas superkompjuterit të saj, kampione e botës pritet të shpallet Spanja.
Edhe pse “La Roja” humbi vendin e parë në renditjen FIFA-s pas një disfate ndaj Egjiptit, duke ia lënë kreun Francës, ajo mbetet favoritja kryesore për trofeun, me 15.83% shanse për ta fituar Botërorin.
Pas Spanjës renditet Franca, me 12.77% mundësi për t’u shpallur kampione, në atë që do të ishte finalja e tretë radhazi për “gjelat”. Në vendet pasuese vijnë Anglia dhe Argjentina, të dyja me mbi 10% shanse. Kampionët në fuqi nuk konsiderohen favoritë kryesorë për të mbrojtur titullin e fituar në Katar 2022. Pesëshen e parë e plotëson Portugalia, me 6.92% mundësi për të fituar Botërorin e parë në histori.
Ndërkohë, Brazili dhe Gjermania mbeten jashtë pesë vendeve të para, duke u renditur respektivisht në vendin e gjashtë dhe të shtatë.
Superkompjuteri ka bërë edhe parashikime për fazën e grupeve në këtë Botëror me 48 skuadra.
Sipas tij, fituesit e grupeve do të jenë: Meksika, Zvicra, Brazili, Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Holanda, Belgjika, Spanja, Franca, Argjentina, Portugalia dhe Anglia.
Gjithashtu, pritet që në fazën me eliminim direkt të kalojnë edhe tetë skuadrat më të mira të vendeve të treta. Sipas Opta-s, këto do të jenë: Koreja e Jugut, Irani, Australia, Austria, Bregu i Fildishtë, Suedia, Gana dhe Katari.
Ky parashikim tregon se konkurrenca do të jetë shumë e fortë dhe surprizat nuk do të mungojnë në një nga Botërorët më të mëdhenj në histori.