Klubi i Futbollit të Femrave Mitrovica ka shpërthyer në akuza të rënda ndaj Komisionit të Garave të FFK-së, duke e cilësuar "skandaloz dhe të turpshëm" vendimin për humbjen e ndeshjes ndaj Dukagjinit në tavolinë (3:0).
Sipas reagimit të klubit mitrovicas, ky vendim është i pabazuar në rregullore dhe vjen si pasojë e një raporti të rremë nga delegatja e ndeshjes, Donjeta Krasniqi.
Mitrovica pretendon se eliminimi nga Kupa po tentohet t’u bëhet me pretekstin e mungesës së mjekut në protokoll, ndonëse prezenca e fizioterapeutit ka qenë praktikë e pranuar dhe e miratuar nga vetë komisioni deri më sot.
Mitrovica paralajmëron padi: "Po e dërgojnë Dukagjinin në finale me padrejtësi"
Në reagimin e tyre zyrtar, drejtuesit e KFF Mitrovicës kanë theksuar se protokolli i ndeshjes ishte mbyllur pa asnjë vërejtje nga palët, por raporti ka ndryshuar më vonë për të favorizuar ekipin kundërshtar.
Klubi ka paralajmëruar ballafaqim në gjykatë me delegaten për shpifje dhe ka bërë thirrje për drejtësi, duke insistuar se rezultati i arritur në fushë po përmbyset me qëllime të pastra jashtë-sportive.
"Kjo nuk është gabim – kjo është padrejtësi e pastër," thuhet në deklaratën e klubit, i cili zotohet se do ta ndjekë çështjen në të gjitha instancat e mundshme.