Skuadra e momentit, pret kryesuesen e kampionatit

- Bota Sot

Skuadra e momentit, pret kryesuesen e kampionatit

Skuadra kryesuese përballë skuadrës më në formë për momentin, e tillë do të jetë përballja e “Arenës së Demave” të shtunën në orën 17.00, kur Partizani do të presë Vllazninë.

Ndeshja mund t’i japë formë përfundimisht edhe katërshes së titullit, në rast fitore të “të kuqve” dhe humbjes së Dinamos, që luan tri orë më pas, kundër Elbasanit.

Vllaznia është kryesuese e kampionatit pas 29 javëve, me 53 pikë, e barabartë me Elbasanin, por “të kuqtë” janë skuadra me ecurinë më të mirë në pesë javët e fundit.

Në këtë periudhë, Partizani ka 11 pikë, po aq sa Elbasani, por me golavarazh më të mirë se bardheblutë.

Shkodranët nga ana e tyre kanë humbur terren karshi Partizanit në këto pesë javë, gjatë të cilave kanë marrë pesë pikë, dhe kanë vetëm një fitore, me Tiranën.

Ajo kundër bardhebluve, 3-1, ishte e fundit në të cilën Vllaznia ka shënuar, pasi në tri ndeshjet pasardhëse kuqeblutë nuk e kanë gjetur golin, me humbje 0-1 në Vlorë dhe barazimet pa gola me Egnatian e Dinamon.

Në ndeshjet midis tyre në këtë sezon, shkodranët janë superiorë kundër Partizanit, me dy fitore në Shkodër, 1-0 e 4-1, ndërsa në Tiranë janë ndarë në barazim 1-1.



Read it all at Bota Sot