Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani dhe diplomati Faruk Ajeti, ka njoftuar se kompania ajrore Wizz Air ka korrigjuar përkatësinë e destinacionit të Prishtinës në sistemet e saj.
Sipas njoftimit, emërtimi i destinacionit është ndryshuar nga “Priština” në “Prishtina” ose “Pristina”, pas reagimeve të qytetarëve dhe angazhimit diplomatik të institucioneve të Kosovës në Gjermani.
Ky veprim vlerësohet si një shembull konkret i ndikimit që ka reagimi qytetar i koordinuar me diplomacinë aktive në korrigjimin e pasaktësive ndaj shtetit dhe qyteteve të Kosovës në platforma ndërkombëtare.
Ambasada e Kosovës në Gjermani u ka bërë thirrje qytetarëve që, në rast se hasin institucione apo kompani ku Republika e Kosovës ose qytetet e saj nuk paraqiten në mënyrë korrekte, të raportojnë rastet përmes adresës zyrtare elektronike, duke bashkëngjitur dëshmi përkatëse.
Sipas tyre, këto raportime do të ndihmojnë në adresimin dhe korrigjimin e pasaktësive të ngjashme në të ardhmen.