Andrej Jago ka folur para ndeshjes Partizani-Vllaznia. Ky takim është dhe supersfida e javës, ndërsa merr jetë të shtunën prej orës 17:00 në stadiumin “Arena e Demave”.
Jago është mesfushor, megjithëse te Vllaznia ka luajtur më tepër si mbrojtës në krahun e majtë. Çfarë bie në sy është se Vllaznia vazhdon dhe mban konferenca për shtyp para ndeshjeve, në të cilat lojtarët duhet të japin informacione si trajneri duke qenë se Edi Martini vazhdon të bojkotojë.
“E dimë që kjo ndeshje ka mjaft rëndësi, për të vazhduar rrugën tonë.
Ne jemi gati për të vendosur në fushë, çfarë kemi bërë gjatë kësaj periudhe në stërvitje.
Pushimi? Ishte diçka pozitive, na ka dhënë refresh në pjesën fizike dhe mendjen. Kemi bërë stërvitje që na ka shërbyer për këtë ndeshje.
Kastrati? Për momentin nuk kam përgjigje të qartë, por e dimë që është nga pikat kryesore të ekipit dhe shpresoj të rikthehet sa më shpejt në fushë.
Partizani është skuadër që ka pasur rritje këto muaj. Ka lojtarë dhe atmosferë të mirë, por ne kemi plan për këtë ndeshje dhe do ta ndjekim.
E dimë se është pak ndryshe të luash në fushë sintetike, por nuk është ajo kryesorja. Kryesore është çfarë do bëjmë në fushë.
Çdo ndeshje është bërë më e vështirë se e dinë që kemi sulm të fortë. Duhet të jemi të qetë para portës, që të shënojmë sepse rastet i kemi pasur.
Jemi gati të rikthehemi te fitorja. E dimë se çdo ndeshje për ne që ka vlerën e 3 pikëve ka vlerë të madhe. Kampionati është në fazë të vështirë ku të gjithë ekipet kanë qëllimet e tyre përkatëse.
Ne jemi fokusuar vetëm te ndeshja me Partizanin për momentin. Pas kësaj ndeshje do jetë fokusi te ndeshja e Kupës.
Objektivi ynë është të fitojmë Kupën dhe kampionatin, por ne do shkojmë vetëm hap pas hapi.
Jam i lumtur me Shkodrën, ndihem mirë dhe si në shtëpi. Fokusi për momentin është vetëm ky sezon ku duhet t’i rikthejmë festën tifozëve, pasi u ka munguar për vite me radhë.
Mund të them se ky vit mund të jetë ai vit, edhe vitet më përpara kemi shkuar dy gjysmëfinale Kupe. Po ashtu edhe vitin e kaluar për pak po fitonim kampionatin. Mendoj se ky është viti i duhur.
Kryesorja është të kontribuoj për ekipin dhe të ndihmoj shokët. Pastaj nëse del diçka gjatë ndeshjes, atëherë është edhe më pozitive”, u shpreh Jago.