Pulisiç vuan te Milani

- Bota Sot

Pulisiç vuan te Milani

Fantazisti ka kaluar mbi 90 ditë pa shënuar, diçka që nuk i kishte ndodhur kurrë me fanellën e Milanit.

Edhe aventura me kombëtaren nuk shkoi mirë, pa shiritin e kapitenit, pa gola dhe me dy humbje.

Kristian Pulisiç e nis sërish nga sfida ndaj Napoli në “San Siro”, aty ku në ndeshjen e parë ishte protagonist me gol dhe asist. Pulisiç ka marrë nga kjo pauzë e fundit më shumë fjalë sesa rezultate konkrete.

Sigurisht më pak nga sa do të kishte dashur.

Momenti nuk është aspak pozitiv, por problemi është se nuk bëhet fjalë vetëm për një periudhë të shkurtër, por për gjithë vitin 2026.

Një vit i vështirë, ku amerikani nuk po arrin të heqë nga vetja një lloj “ndryshku” që e penalizon në fushë dhe rrit frustrimin. Të flasësh për krizë të thellë ndoshta është e tepruar, por deklaratat e tij të fundit tregojnë shumë: “Jam i zhgënjyer, duhet të konkretizoj rastet e mia. Në disa momente pres më shumë nga vetja”, u shpreh ai pas humbjes së rëndë 2-5 të SHBA-ve ndaj Belgjikës së shokut të skuadrës Aleksis Saelemakers. Ai shtoi gjithashtu:

“Është një periudhë e vështirë, por fizikisht ndihem mirë dhe po krijoj raste. Duhet vetëm të qëndroj pozitiv.

E di që në një moment topi do të më godasë në gju dhe do të hyjë në rrjetë, dhe atëherë gjithçka do të ndryshojë. Nuk po bie në panik. Më mirë tani sesa në verë, gjërat do të përmirësohen”.

Pulisiç i referohej një rasti të pastër që nuk arriti ta shndërrojë në gol, episod për të cilin foli edhe trajneri i kombëtares amerikane Mauricio Poçetino: “Ishte një mundësi gjigante. Duhej të kishim shënuar, sepse në futboll detajet bëjnë diferencën dhe rezultati mund të kishte qenë ndryshe”. Në këtë mënyrë, si te Milani ashtu edhe në kombëtare, “Capitan America” duket se ka humbur kontaktin me golin, ndryshe nga fillimi i sezonit kur ishte një burim i vazhdueshëm rrjetash.

Madje, nofka “Capitan America” në këtë moment duket e pavend, gjë që nuk ndihmon aspak në aspektin psikologjik. Mauricio Poçetino i ka hequr edhe shiritin e kapitenit prej disa ndeshjesh dhe nuk ka garanci që Pulisiç do ta rimarrë atë në Botërorin e ardhshëm në shtëpi.

Një tjetër goditje për një lojtar që në vendin e tij konsiderohet si ikona e futbollit dhe te Milani një nga elementët më vendimtarë.

Pas humbjes së thellë ndaj Belgjikës, edhe ndeshja tjetër me SHBA-të nuk shkoi mirë. Disfatë 0-2 ndaj Portugalisë (pa Rafael Leao), ku Pulisiç luajti vetëm një pjesë. Tani ai pritet të rikthehet në Milanelo për të përgatitur sfidën ndaj Napolit, ku do të tentojë të zhbllokohet.

Ka kaluar tashmë mbi 90 ditë pa gol (i fundit më 28 dhjetor ndaj Veronës), një rekord negativ për të me fanellën kuqezi.

Në ndeshjen e parë kundër Napolit ishte vendimtar në fitoren 2-1, me një gol dhe asist për Aleksis Saelemakers. Tani ka ardhur momenti që Pulisiç të marrë sërish mbi supe “Djallin” dhe të rikthehet protagonist.



Read it all at Bota Sot