Fetai: Kujdes ndaj Pelisterit

- Bota Sot

Fetai: Kujdes ndaj Pelisterit

Përballja ndërmjet Shkëndijës dhe Pelisterit, e vlefshme për xhiron e 25-të kampionatin vendor, luhet të shtunën në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 13:30.

…përfaqësuesja dhe debutimi…

Imran Fetai: “Është një ndjenjë shumë e bukur kur luan për përfaqësuesen e Maqedonisë. Jam shumë i lumtur për debutimin, besoj se gjithçka shkoi si duhet dhe vlerësimet që kam marrë janë një motiv shtesë për mua.

Megjithatë, përtej gëzimit tim, më vjen shumë keq për lëndimin e Rrashatit (Ramadani), ishte një fatkeqësi dhe i dëshiroj shërim sa më të shpejtë.”

…ndeshja me Pelisterin…

Imran Fetai: “Atmosfera në skuadër është shumë pozitive dhe jemi të fokusuar maksimalisht. Duhet të kemi shumë kujdes sepse këto ndeshje pas pauzës së reprezentacioneve dinë të jenë të vështira dhe të rrezikshme.

Kemi vetëm dy ditë që jemi bërë bashkë si grup, por shkojmë me fokus 100% për t’i marrë tre pikët, duke mësuar edhe nga takimi i kaluar me ta ku gjërat nuk na shkuan ashtu siç duhej.”

…spekulimet për të ardhmen…

Imran Fetai: “Spekulimet nuk ma vjedhin fokusin aspak.

Për mua prioriteti kryesor dhe i vetëm në këtë moment është të dal kampion me Shkëndijën dhe të fitojmë Kupën.

Jam me këmbë në tokë dhe gjërat e tjera mund të presin, pasi jam i përqendruar vetëm te objektivat e klubit.”

…thirrja për tifozët…

Imran Fetai: “Apeli im për tifozët është që të vijnë në numër sa më të madh në tribuna.

Mbështetja e tyre ka një domethënie të madhe për ne dhe na motivon jashtëzakonisht shumë për të dhënë maksimumin në fushë.”



Read it all at Bota Sot