Kur emocionet verbojnë, e vlerat flasin

- Bota Sot

Kur emocionet verbojnë, e vlerat flasin

Fitorja e mbrëmshme e Real Mallorca ndaj gjigantit Real Madrid 2:1 riktheu në vëmendje një realitet që shpesh harrohet në futboll: se edhe më të mëdhenjtë mund të mposhten, ndërsa heronjtë mund të lindin nga momente të papritura.

Në këtë përballje, ishte pikërisht prizrenasi Vedat Muriqi, i cili vulosi fitoren e Real Mallorca në minutat shtesë, duke dëshmuar edhe një herë se është një nga sulmuesit më të spikatur në La Liga.

Muriqi, me 19 gola këtë sezon, renditet ndër më të mirët në kampionatin e Spanjës, menjëherë pas yllit francez Kylian Mbappé.

Paraqitja e tij madhështore ndaj Real Madridit na rikthen pas në kohë, te një moment që për futbollin tonë ishte historik: ndeshja Kosovë – Turqi 0:1 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Në atë ndeshje, pavarësisht rëndësisë së jashtëzakonshme, një pjesë e opinionit publik reagoi në mënyrë të padrejtë ndaj Muriqit. Në vend që loja të analizohej me gjakftohtësi, në rrjetet sociale u përdorën fjalë të rënda e fyese, sjellje kjo që nuk i shërben as sportit dhe as kulturës sonë.

Në fakt, realiteti i asaj ndeshjeje ishte shumë më kompleks. Dëshira e çdo lojtari për t’u bërë protagonist në një ndeshje historike bëri që loja të fragmentohej dhe të mungonte bashkëpunimi i duhur në repartin e sulmit.

Vedat Muriqi, si sulmues i qendrës, varet drejtpërdrejt nga shërbimi i bashkëlojtarëve dhe, në mungesë të topave, nuk mund të jetë efikas.

Futbolli nuk është sport individual. Një sulmues nuk mund të gjykohet vetëm nga fakti nëse shënon apo jo, por edhe nga konteksti i lojës: organizimi i ekipit, strategjia, presioni i ndeshjes dhe mbështetja nga shokët e skuadrës.

Shembulli i ndeshjes së fundit në Spanjë e dëshmon më së miri këtë të vërtetë: kur një lojtar i sulmit si Muriqi shërbehet siç duhet nga bashkëlojtarët, shkëlqimi i tij është i pashmangshëm.

Andaj, është e domosdoshme që si shoqëri dhe si tifozë: të gjykojmë me maturi dhe jo me emocione të momentit, të respektojmë kontributin e çdo lojtari që përfaqëson vendin dhe të kuptojmë se suksesi në futboll është rezultat i punës kolektive.

Vetëm kështu mund të ndërtojmë një kulturë sportive të shëndetshme, ku kritika është konstruktive dhe jo shkatërruese.

Vedat Muriqi mbetet një nga ambasadorët më të denjë të futbollit kosovar, një lojtar që, kur i krijohet hapësira, di të bëhet hero.



Read it all at Bota Sot