Rashfordi i afrohet një transferimi të përhershëm te Barça

- Bota Sot

Rashfordi i afrohet një transferimi të përhershëm te Barça

Marcus Rashford ka bërë një hap të madh drejt qëndrimit të përhershëm te Barcelona pas një paraqitjeje të shkëlqyer në fitoren ndaj Atletico Madridit.

Sulmuesi i huazuar nga Manchester Unitedi ka ringjallur karrierën e tij në La Liga dhe po bëhet gjithnjë e më vendimtar për katalanasit.

Rashford ishte protagonisti kryesor në stadiumin “Metropolitano”, duke zëvendësuar mungesën e Raphinha me një performancë shumë efikase.

28-vjeçari barazoi rezultatin pak para pushimit me një goditje të fortë me të majtën, pas një kombinimi të bukur me Dani Olmo.

Përveç golit, ai pati 51 prekje të topit dhe krijoi tre raste të pastra për bashkëlojtarët.

Kontributi i tij nuk u kufizua vetëm në sulm, pasi tregoi edhe përkushtim në mbrojtje me dy rikuperime topi.

“Jam krenar që ndihmova me një gol që mund të jetë vendimtar për fatin e La Ligës,” tha Rashford pas ndeshjes. Goli i tij ishte gjithashtu historik, pasi përfaqësonte golin e 300-të të epokës së trajnerit Hansi Flick te Barcelona në të gjitha kompeticionet.

Me 11 gola dhe 11 asistime këtë sezon, transferimi i përhershëm i Rashford është bërë prioritet për drejtuesit në “Camp Nou”.

Barcelona ka një opsion blerjeje prej 30 milionë eurosh, një shumë që tani duket shumë e favorshme duke parë formën e tij aktuale.

Klubi po shqyrton mënyra të ndryshme për të realizuar marrëveshjen, përfshirë një tjetër huazim me detyrim blerjeje ose pagesa me këste, për shkak të vështirësive financiare.

Ndërkohë, në “Old Trafford”, drejtuesit e rinj të Manchester Unitedit, të udhëhequr nga Sir Jim Ratcliffe dhe grupi INEOS, po planifikojnë një revolucion në skuadër.

Klubi synon të mbledhë rreth 100 milionë paund duke shitur tetë lojtarë këtë verë, dhe shitja përfundimtare e Rashford te Barcelona konsiderohet një pjesë kyçe e këtij plani, pasi preferohet një marrëveshje e menjëhershme dhe përfundimtare në vend të një tjetër huazimi.



Read it all at Bota Sot