Projektligji për Konfiskimin e Pasurisë nxit reagime dhe kritika: ”Janë shkelur procedurat”

- Gazeta e Prizrenit

Projektligji për Konfiskimin e Pasurisë nxit reagime dhe kritika: ”Janë shkelur procedurat”
Projektligji për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është rikthyer në qendër të debatit publik dhe politik, duke u konsideruar si një ndër nismat më të rëndësishme në kuadër të forcimit të sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit në Kosovë.

Ky projektligj synon krijimin e një mekanizmi të posaçëm për konfiskimin civil të pasurisë, në rastet kur ajo nuk mund të justifikohet me të ardhura të ligjshme, duke prekur drejtpërdrejt çështje të ndjeshme si transparenca, drejtësia dhe besimi i qytetarëve në institucione.

Megjithatë, procesi i hartimit dhe miratimit të tij është shoqëruar me sfida të shumta, si në aspektin përmbajtësor ashtu edhe në atë procedural.

Projektligji ka kaluar nëpër disa vlerësime, përfshirë edhe nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila ka evidentuar mangësi të rëndësishme dhe në disa raste ka çuar deri në anulimin e tij.

Çështje si retroaktiviteti i ligjit, e drejta e pronës dhe procedurat e miratimit kanë qenë ndër pikat kryesore të kontestuara.

Pavarësisht saj, Qeveria ka vendosur që ta rikthejë projektligjin për shqyrtim dhe miratim në Kuvend, duke e konsideruar atë si të domosdoshëm për avancimin e reformave në drejtësi. Në këtë kontekst, projektligji mbetet një test i rëndësishëm për institucionet e vendit, si në aspektin e respektimit të standardeve kushtetuese dhe procedurale, ashtu edhe në garantimin e një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent.

Shala: Qeveria s’ka respektuar procedurat për projektligjin për Byronë e Konfiskimit

Gzim Shala, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, (IKD), për FrontOnline ka kritikuar vendimin e Qeverisë për miratimin e projektligjit për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke theksuar shkelje të procedurave dhe mungesë të konsultimeve publike.

“Në këtë rast, Qeveria nuk i ka respektuar procedurat që vet i ka vendosur. Rregullorja e Qeverisë e kërkon qartë konsultimin publik, por kjo nuk ka ndodhur. Pos se obligim ligjor, konsultimi publik dhe gjitheperfshirja jane parakushte te qeverisje se mire ne fushen e draftimit te ligjeve”, deklaroi Shala.

Ai shtoi se kjo nuk është hera e parë që një problem i tillë përsëritet me këtë projektligj.

“Fatkeqësisht, kjo është hera e tretë që ky projektligj miratohet në Qeveri dhe prapë po përsëritet i njëjti problem – konsultimet publike nuk po bëhen si duhet, as në procedure dhe as në përmbajtje”, u shpreh ai për FrontOnline.



Read it all at Gazeta e Prizrenit