Dy persona kanë humbur jetën dhe mijëra të tjerë janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre si pasojë e përmbytjeve të rënda në Dagestan të Rusisë, pas shirave të rrëmbyeshëm që goditën rajonin.
Sipas Ministrisë Ruse të Mbrojtjes Civile, një grua dhe vajza e saj humbën jetën pasi një digë shpërtheu, duke shkaktuar përmbytje masive dhe rreth 4,000 persona janë evakuuar nga zonat e prekura.
Më shumë se 2,000 shtëpi janë përmbytur në rajonin e Derbentit, pranë Detit Kaspik, ndërsa fati i disa banorëve të tjerë mbetet ende i paqartë.
Edhe kryeqyteti, Makhachkala, është goditur rëndë, ku disa komplekse banimi janë në rrezik shembjeje. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë ndërtesa të zhytura në ujë dhe dëme të mëdha në infrastrukturë, përfshirë shembjen e një ure në autostradën strategjike Kavkaz.
Autoritetet kanë ngritur strehimore emergjente dhe kanë angazhuar helikopterë për operacionet e shpëtimit. Ndërkohë, paralajmërohet për përkeqësim të situatës, pasi priten reshje të tjera dhe erëra që mund të arrijnë shpejtësi mbi 120 km/orë, si dhe rrezik për rrëshqitje dheu.
Shirat intensivë kanë prekur rajonin e Kaukazit të Veriut që nga fundi i marsit, duke shkaktuar përmbytje edhe në nënstacionet e energjisë dhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në rreth 20 zona.
Gjendja e jashtëzakonshme është shpallur në disa qytete, përfshirë Makhachkala, Khasavyurt, Kaspiysk dhe Derbent.
Kujtojmë se në fund të marsit, përmbytje të ngjashme detyruan evakuimin e mbi 3,300 personave dhe përmbytën rreth 3,500 shtëpi. Dëmet e raportuara atëherë kapnin vlerën e 50 milionë dollarëve, por autoritetet paralajmërojnë se kjo shifër pritet të rritet ndjeshëm pas zhvillimeve të fundit.