Kualifikimi historik i Bosnjës për Kupën e Botës, pas fitores dramatike me penallti ndaj Italisë, solli në skenë jo vetëm protagonistët në fushë, por edhe një figurë të papritur jashtë saj. Bëhet fjalë për Afan Cizmic, një 14-vjeçar që shërbente si mbledhës topash, i cili arriti t’i marrë portierit italian Gianluigi Donnarumma një letër me shënime të detajuara mbi gjuajtësit boshnjakë.
I riu, që luan për ekipet zinxhir të NK Celik, tregoi se e vuri re letrën pranë peshqirit dhe e fshehu menjëherë, duke i hequr Donnarumma-s një ndihmë të rëndësishme gjatë penalltive. Pa ato informacione, portieri italian u detyrua të mbështetej vetëm te intuita.
Ky moment ndikoi në tensionin e sfidës, ndërsa reagimi i Donnarumma-s ishte i dukshëm, mes zhgënjimit dhe kërkimit të kotë për letrën e humbur.
Sot, Afani është kthyer në simbol të këtij suksesi të madh për Bosnjën. Letra e famshme pritet të dalë në ankand për bamirësi, ndërsa tifozët kërkojnë që 14-vjeçari të jetë i pranishëm si një lloj maskote në Kupën e Botës në Shtetet e Bashkuara.