Udhëheqësit e Serbisë dhe Hungarisë njoftuan të dielën (05.04.) se në Serbi është gjetur sasi e madhe e eksplozivit pranë një tubacioni që transporton gazin rus në Hungari. "Njësitë tona kanë gjetur eksploziv me fuqi shkatërruese", tha Presidenti serb Aleksandar Vuçiq në një postim në Instagram.
Ai tha se "dy paketa të mëdha me eksploziv me detonatorë" u gjetën në Kanjizhë, në veri të Serbisë, "disa qindra metra" nga tubacioni Balkan Stream.
Kryeministri hungarez Viktor Orbán thirri menjëherë një takim të Këshillit të Mbrojtjes së vendit të tij për të diskutuar situatën.
"Sipas informacionit që kemi, ishte përgatitur një akt sabotimi", tha Orbán pas takimit. Por asnjëri prej tyre nuk ka dhënë deri tani detaje të mëtejshme rreth gjetjeve ose nuk publikuan foto.
Ukraina mohon çdo lidhje
Balkan Stream është një tubacion gazi që kalon nëpër Bullgari dhe Serbi dhe lidh Hungarinë me gazin rus që transportohet nën Detin e Zi në Turqi. Orbán tha se "Ukraina është përpjekur ta shkëpusë Evropën nga energjia ruse për vite me radhë", por nuk e akuzoi drejtpërdrejt Ukrainënose ndonjë aktor tjetër.
Ukraina ka mohuar çdo lidhje me sabotimin e supozuar. "Ne i hedhim poshtë kategorikisht përpjekjet për ta lidhur në mënyrë të rreme Ukrainën me incidentin në të cilin u gjetën eksploziv pranë tubacionit të gazit TurkStream në Serbi", tha zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Ukrainës, Heorhij Tikhij.
"Ukraina nuk ka të bëjë fare me këtë. Ka shumë të ngjarë të jetë një operacion rus me flamur të rremë si pjesë e ndërhyrjes së rëndë të Moskës në zgjedhjet hungareze."
Serbia dhe Hungaria varen kryesisht nga importi i gazit rus. Në javët e fundit, Orbán ka akuzuar Ukrainën për vonesë të qëllimshme të riparimeve të një tubacioni tjetër të dëmtuar gazi që kalon nëpër Ukrainë, gjë që ka ndërprerë rrjedhën e naftës ruse në Hungari dhe Sllovaki.
Opozita hungareze dyshon për manipulim
Njoftimi vjen një javë para zgjedhjeve shumë të pasigurta në Hungari, në të cilat udhëheqësi nacionalist Orbán, pas 16 vitesh në pushtet, mund të humbasë pushtetin. Kandidati kryesor i opozitës Péter Magyar reagoi ndaj lajmit duke akuzuar Orbánin se po përpiqet të përhapë panik përpara zgjedhjeve.
"Disa njerëz paralajmëruan publikisht se diçka aksidentale do të ndodhte në tubacionin e gazit në Serbi për Pashkë, një javë para zgjedhjeve hungareze", tha Magyar në një video të postuar në Facebook. "Dhe kështu ndodhi." / DW