Një situatë e pazakontë dhe shqetësuese ka tronditur futbollin brazilian, pasi mbrojtësi ekuadorian, Robert Arboleda, është zhdukur pa lënë gjurmë nga klubi i Sao Paulos.
Sipas raportimeve nga media braziliane dhe burime si ANSA, lojtari ka braktisur skuadrën pa marrë leje nga drejtuesit e klubit dhe dyshohet se është rikthyer në Ekuador.
Ky veprim lidhet me pakënaqësinë e tij të madhe ndaj klubit, pasi nuk iu lejua transferimi gjatë merkatos së janarit.
Situata është bërë edhe më e ndërlikuar, pasi drejtuesit e klubit nuk kanë arritur të vendosin kontakt me Arboledën. Madje, sipas medieve lokale, as agjenti i tij nuk ka dijeni për vendndodhjen aktuale të mbrojtësit, çka e ka kthyer rastin në një “mister” të vërtetë.
Ngjarja mori përmasa edhe më serioze fundjavën e kaluar, kur lojtari nuk u paraqit në grumbullimin para ndeshjes që São Paulo e fitoi 4-1 ndaj Cruzeiros në stadiumin ‘Morumbi Stadium’.
Pas sfidës, trajneri Roger Machado sqaroi situatën në konferencë për shtyp: “Ai ishte i grumbulluar, por nuk u paraqit dhe për këtë arsye u përjashtua. Më pas ia referuam çështjen drejtuesve. Ishim të shqetësuar, pasi nuk dinim çfarë kishte ndodhur”.
Rasti i Arboleda-s ka hapur një debat të madh në Brazil, duke vënë në pikëpyetje marrëdhëniet mes lojtarëve dhe klubeve, si dhe mënyrën e menaxhimit të situatave të tilla delikate.