Mesfushori i Liverpool, Dominik Szoboszlai, ka vlerësuar lart bashkëlojtarin e tij Mohamed Salah, duke e cilësuar si një nga futbollistët më të mëdhenj që ka parë futbolli.
“Shifrat flasin vetë, gjithçka që ka bërë në fushë flet për të.
Ai është një nga më të mirët që ka luajtur ndonjëherë, jo vetëm te Liverpooli, por edhe në botë.
Jam shumë i lumtur që kam pasur fatin të luaj me të dhe mund ta quaj mik”, ka thënë Szoboszlai.
Ai ka zbuluar se ka pasur shumë biseda me Salahun rreth të ardhmes së tij, por ka theksuar se vendimi i përket vetëm egjiptianit.
“Kemi folur shpesh për atë që do të ndodhë në të ardhmen, por është vendimi i tij. Ai është mjaftueshëm i pjekur dhe profesionist për të ditur çfarë duhet të bëjë.
Do të ishte e mrekullueshme të largohej duke fituar një trofe”, është shprehur hungarezi.
Szoboszlai ka nënvizuar gjithashtu ndikimin e madh të Salahut në skuadër.
“Ai është çdo ditë në stërvitje një shembull për të gjithë – për lojtarët e rinj dhe ata me përvojë. Na mëson si të jemi lojtarë më të mirë dhe njerëz më të mirë”, ka shtuar ai.
Në fund, ai ka folur edhe për raportin personal me të.
“Mo është një nga miqtë e mi më të mirë në skuadër, është gjithmonë me mua. Milos Kerkez është gjithashtu me ne, jemi tre. Milos është si vëllai im i vogël, ndërsa Mo si vëllai i madh”, ka përfunduar Szoboszlai.