Skënderbeu udhëton për kreun në Burrel

- Bota Sot

Skënderbeu udhëton për kreun në Burrel

Burreli–Skënderbeu pritet të jetë një nga ndeshjet më “të nxehta” të kësaj jave në Kategorinë e Parë.

Me sezonin që po shkon drejt fundit, të dyja skuadrat janë në luftë për objektivat e tyre. Korçarët kërkojnë fitoren për të ruajtur kreun e renditjes, teksa presioni nga ndjekësit si Laçi dhe Pogradeci është mjaft i madh.

Nga ana tjetër, Burreli, pas humbjes së fundit në Laç, ka humbur pozicionin në zonën “play off” dhe synon rikthimin në vendin e gjashtë përmes një fitoreje të domosdoshme.

Seanca e së hënës shënoi nisjen e përgatitjeve për skuadrën matjane, e cila në kuadër të javës së 30-të do të presë në “Liri Ballabani” një Skënderbe që me meritë kryeson renditjen. Në dy përballjet e këtij sezoni, korçarët kanë triumfuar në të dyja rastet, fillimisht me rezultatin e thellë 3-0 në fushën e tyre, ndërsa ndeshja e dytë në Burrel u mbyll 2-1 në favor të bardhekuqve.

Forma e paqëndrueshme e Burrelit në javët e fundit dhe zbritja në vendin e shtatë, pas ndërrimit të pozicioneve me Besën, e bëjnë këtë sfidë edhe më vendimtare për vijimësinë e sezonit.

Statistikat tregojnë se në 12 ndeshjet e zhvilluara gjatë vitit 2026, skuadra e drejtuar nga trajneri Samuel Nikaj ka siguruar vetëm dy fitore, një në transfertë ndaj Lushnjës (0-1) dhe një në shtëpi ndaj Apolonisë (2-0).

Edhe pse barazimet sjellin pikë (katër të tilla në vitin 2026, të gjitha në “Liri Ballabani”), për ambiciet e matjanëve ato konsiderohen hapa fals. Pas javës së 29-të, diferencat janë ngushtuar ndjeshëm.

Burreli ndodhet në vendin e shtatë, ndërsa Korabi i vendit të tetë ka vetëm një pikë më pak, duke rritur edhe më shumë presionin.

Megjithatë, përballja me Skënderbeun është vetëm sfida e parë e një serie të vështirë, pasi kalendari në vijim rezervon edhe tri ndeshje të tjera ndaj kundërshtarëve që luftojnë për mbijetesë. Për Burrelin, çdo hap fals në këtë fazë mund të rezultojë fatal për objektivin “play off”.



Read it all at Bota Sot