Gjermania kërkon që qarkullimi i anijeve dhe mallrave nëpër Hormuz të jetë falas

- Bota Sot

Gjermania kërkon që qarkullimi i anijeve dhe mallrave nëpër Hormuz të jetë falas

Qeveria gjermane ka bërë thirrje që kalimi nëpër Ngushticën e Hormuzit të mbetet pa tarifa.

Kjo pasi Teherani ra dakord, të martën, që ta rihapë përkohësisht këtë rrugë kyçe ujore, si pjesë e një marrëveshjeje dyjavore armëpushimi me Shtetet e Bashkuara.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme në Berlin deklaroi të mërkurën se Ngushtica e Hormuzit nuk është vetëm pjesë e ujërave të Iranit, por i nënshtrohet edhe traktateve detare të OKB-së.

“Dhe për këtë arsye është thelbësore që, kur të rifillojnë operacionet, të garantohet lëvizje e lirë, e sigurt dhe pa tarifa në det” tha ai, transmeton dpa.

Sipas tij, Gjermania beson se Kombet e Bashkuara janë korniza e duhur për trajtimin e kësaj çështjeje, meqë një numër vendesh në mbarë botën janë të prekura nga bllokada e Iranit në këtë ngushticë,

Sipas marrëveshjes së armëpushimit të shpallur gjatë natës, Irani ka pranuar të heqë përkohësisht bllokadën e Ngushticës së Hormuzit, një nga pikat kyçe kjo për eksportet globale të naftës.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, tha se kalimi i sigurt do të jetë i mundur për dy javë, në koordinim me forcat e armatosura iraniane dhe “duke marrë parasysh kufizimet teknike”.

Transporti komercial në këtë rrugë të ngushtë ujore pothuajse është ndalur që nga fillimi i luftës së SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit më 28 shkurt. Ky zhvillim ka çuar në rritjen e çmimeve të naftës dhe ka nxitur shqetësime për një krizë të zgjatur globale ekonomike, pasi Ngushtica e Hormuzit është jetike për eksportet e naftës (energjisë) dhe disa lloj ta mallrave të tjera kyçe.

Marrëveshjan e mirëpriti edhe kancelari gjerman Friedrich Merz, I cili, sic thonë burime nga qeveria e tij, zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin amerikan Donald Trump të mërkurën.

“Qëllimi tani është të negociohet një fund i qëndrueshëm i luftës. Ne jemi në koordinim të ngushtë me partnerët tanë për këtë çështje” shkroi Merz në platformën X.

Ai gjithashtu falënderoi Pakistanin për ndërmjetësimin e marrëveshjes.

Edhe ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, e vlerësoi marrëveshjen SHBA-Iran, në një postim në X.

“Më në fund, edhe disa lajme të mira në politikë! E mirëpres vendimin e palëve ndërluftuese për të rënë dakord për një armëpushim në konfliktin me Iranin,” shkroi ai. “Ky duhet të jetë hapi i parë vendimtar drejt një paqeje të qëndrueshme, pasi pasojat e vazhdimit të luftës do të ishin të pallogaritshme”.



Read it all at Bota Sot