Antonio Conte do jetë trajneri i ri i Italisë.
Të sigurta për këtë janë mediat italiane, por për zyrtarizimin duhet pritur fundi I këtij sezoni në Serie A.
Vetëm atëherë, tekniku 56 vjeçar do të lirohet nga pankina e Napolit, pavarësisht kontratës që ka me këtë klub edhe për një tjetër vit.
Duke qëndruar në atë që raportojnë të përditëshmet përtej Adriatikut, presidenti napolitan De Laurentis ka pranuar të mos e pengojë Antonio Conte, që nga ana e tij kërkon të kthehet sërish në krye të kombëtares së Italisë.
Trajneri salentin shihet si njeriu I duhur për skuadrën e kaltër në një këtë moment të vështirë, pasi për herë të tretë radhazi nuk arriti kualifikimin për në finalet e Kupës së Botës.
Ky besim mbështetet te aventura e tij e parë në pankinën e përfaqësueses italiane.
Atëherë, Conte zëvendësoi Cesare Prandelli, pas paraqitjes zhgënjyese në “Botërorin 2014”, ku të kaltërit u eliminuan në fazën e grupeve.
Në 25 ndeshje si trajner I kombëtares së Italisë, Conte regjistropi 14 fitore, 7 barazime dhe 4 humbje, ndrësa suksesi më i madh ishte arritja në çerekfinalet e “Euro 2016”, ku italianët u eliminuan nga Gjermania vetëm pas goditjes së penalltive.
Pas këtij turneu, Antonio Conte u largua për të marrë drejtimin e Chelsea.
Tani tekniku është thirrur sërish në kauzë, ndërsa ka pranuar një sfidë të vërtetë, atë për të kthyer emrin e madh të Italisë në futbollin europian dhe atë Botëror.