Kush e di nëse në Napoli i ka parë në televizor bëmat e “Kvaradonës”!
Nuk është çmimi MVP i mbrëmjes ai që u jep vlerë të gjitha meritave të Khvicha Kvaratskhelias mbrëmë kundër Liverpoolit.
Sepse përtej golit që e shpiku pothuajse i vetëm për ta vulosur rezultatin 2-0 në çerekfinalen e parë të Champions Leagues në favor të PSG-së, ishte paraqitja e jashtëzakonshme e yllit gjeorgjian ajo që e tërhoqi vëmendjen.
Me golin e mbrëmjes së djeshme ndaj “Reds”, ai është bërë lojtari i parë i PSG-së që shënon në katër ndeshje radhazi në fazën me eliminim direkt të Ligës së Kampionëve.
Një paraqitje madhështore, pasi e mori edhe çmimin “Man of the Match” nga UEFA: 1 gol (1.12 xGOT), 93% pasime të sakta, 7 duele të fituara dhe 6 përparime me top në këmbë.
Shifra monstruoze që vazhdojnë ta mahnitin publikun kërkues të PSG-së dhe “Parc des Princes”, por edhe t’ia vështirësojnë jetën Liverpoolit në ndeshjen e kthimit në Champions.
Dhe nuk mbaron këtu, sepse ish-lojtari i Napolit ka statistika mbresëlënëse këtë sezon në kompeticionin evropian, duke lënë pothuajse gjithmonë gjurmë në çdo ndeshje: 8 gola dhe 5 asistime në vetëm 12 paraqitje në këtë edicion të turneut.
Gol ndaj Atalantës (4-0 më 17 shtator), gol dhe asist në fitoren e thellë ndaj Bayer Leverkusenit, asist kundër Tottenhamit (5-3), gol në humbjen nga Sporting Lisbona, asist kundër Newcastlet (1-1), më pas sërish në rrjetë kundër Monacos (2-2 më 25 shkurt), dygolësh dhe asist kundër Chelseat në ndeshjen e parë të së tetës së finales, duke shënuar edhe në lojën e kthimit.
Dhe në fund, mbrëmë, gol kundër Liverpoolit.
Janë vetëm tri ndeshjet e Champions League ku ka munguar para portës (Bayern Munich, Athletic Bilbao dhe “play-off”-i i parë me Monaco).
Në moshën 25-vjeçare (13 gola dhe 8 asiste në 39 ndeshje), ai e ka ende një karrierë të madhe përpara, aq më tepër në një PSG të këtij niveli.
Në fund, është i domosdoshëm një krahasim. Në PSG-në kampione në fuqi të Evropës ndodhet edhe një fitues i Topit të Artë si Ousmane Dembélé, por shifrat e sulmuesit francez janë më të dobëta në Champions League: 2 gola dhe 1 asist, në 493 minuta lojë, mes problemeve fizike dhe mungesave.
Ish-lojtari i Barcelonës ka luajtur gjithsesi të paktën 5 nga 9 ndeshjet si titullar me parisienët, duke munguar në total në 4 takime.