Një hetim gjyqësor i hapur në Andorra ka hedhur dritë mbi një rrjet të dyshuar tregtie të parregullt të orëve luksoze mes Principatës dhe Spanjës, duke i përfshirë disa futbollistë të nivelit të lartë si blerës.
Procedimi, i drejtuar nga gjyqtari Joan Carles Moynat me mbështetjen e Guardia Civil, supozon se kompania Best In Asociados ka futur në treg modele të shtrenjta duke i shmangur detyrimet fiskale, shkruajnë mediat spanjolle.
Në qendër të hetimit ndodhet sipërmarrësi Diego G.C., në paraburgim që nga tetori 2025 me akuza për kontrabandë dhe pastrim parash, vepra që në Andorrë mund të dënohen deri në tetë vite burg.
Shumë futbollistë që kanë luajtur në La Liga të përfshirë: bie në sy Carvajal
Operacionet zhvilloheshin kryesisht në Madrid, ku shumë profesionistë të La Liga kishin akses në orë ekskluzive me çmime më të ulëta se tregu.
Mes emrave të njohur të thirrur për të dëshmuar janë Dani Carvajal, Giovani Lo Celso, Juan Bernat, César Azpilicueta, Thomas Partey, Santi Cazorla dhe David Silva.
Autoritetet synojnë ta sqarojnë mënyrat e blerjes dhe dorëzimit të këtyre produkteve, kryesisht të markave prestigjioze si Rolex dhe Patek Philippe, për ta përcaktuar nëse blerësit ishin të vetëdijshëm për origjinën e parregullt të transaksioneve apo thjesht klientë të një sistemi evazioni fiskal.
Qarkullimi i parave arrin në 1.35 milionë euro
Detajet financiare të zbuluara tregojnë shifra shumë të larta: shpenzimi më i madh i atribuohet Thomas Partey, i cili thuhet se ka paguar 415.000 euro për tre orë Patek Philippe, i ndjekur nga Juan Bernat me 367.000 euro dhe David Silva me 295.000 euro.
Edhe Dani Carvajal figuron në listë për blerjen e një Rolex Daytona rreth 65.000 euro në vitin 2021.
Hetimi, i nisur në shtator 2025 pas një sekuestrimi në doganë, vlerëson se janë futur në mënyrë të parregullt 38 orë me një vlerë totale prej 1.35 milionë eurosh, duke përdorur fitimet e padeklaruara edhe për blerjen e automjeteve luksoze.