Carvajal prek fundin

- Bota Sot

Carvajal prek fundin

Momente të ndërlikuara po kalon kapiteni i Real Madridit, Dani Carvajal, i cili pas një paraqitjeje shumë të mirë në derbin ndaj Atletico Madrid, është rikthyer sërish në stol dhe pa minuta në ndeshjet e fundit.

Në “Santiago Bernabéu”, tifozët e përshëndetën në këmbë pas zëvendësimit në derbi, në një moment që dukej si një homazh për karrierën e tij të gjatë dhe të suksesshme.

Megjithatë, situata ndryshoi shpejt: pas pushimit, ai nuk luajti asnjë minutë ndaj Mallorca-s dhe Bayernit të Mynihut, duke u përballur me një realitet të ri dhe të vështirë: humbjen e rolit të titullarit.

Dy operacione në gju brenda një viti dhe konkurrenca në rritje në krahun e djathtë, përfshirë edhe praninë e Trent, kanë bërë që Carvajal të humbasë rëndësinë që kishte dikur në skuadër. Për herë të parë që nga rikthimi i tij në Madrid në vitin 2013, ai nuk konsiderohet më i paprekshëm.

Kjo situatë ka sjellë edhe tensione me trajnerin Alvaro Arbeloa. Një moment kulmor ishte ndeshja ndaj Rayo Vallecano-s, ku mungesa e minutave shkaktoi përplasje mes tyre. Tensioni u rrit më tej kur një i ri i akademisë u preferua si titullar përpara tij, ndërsa një debat i ashpër në fund të një ndeshjeje në ‘Mestalla’ u bë viral.

Madje, sipas raportimeve, frustrimi i Carvajal çoi edhe në një incident në stërvitje, ku ai ndërhyri ashpër ndaj një lojtari të ekipit të dytë, duke i shkaktuar dëmtim.

Një moment pozitiv erdhi falë një vendimi disiplinor ndaj Trent, që i hapi rrugë Carvajal-it të rikthehej titullar në derbi. Ai dha një paraqitje të mirë dhe u përshëndet me duartrokitje nga publiku, duke treguar ende vlerat e tij si lider.

Megjithatë, situata mbetet e paqartë. Me kontratën që skadon në fund të sezonit dhe me hapësirat gjithnjë e më të pakta, Carvajal po përjeton një nga periudhat më të vështira të karrierës së tij, ndërsa rrezikon të humbasë jo vetëm vendin te Real Madridi, por edhe mundësinë për të qenë pjesë e një Botërori që mund të ishte kulmi i karrierës së tij.



Read it all at Bota Sot