Edmond Kapllani ka lidhur prej shumë vitesh jetën e tij me Gjermaninë, ku ka zhvilluar pjesën më të madhe të karrierës së tij. Ish-sulmuesi është pjesë e historisë së futbollit gjerman, pasi është shënuesi i huaj më i mirë në historinë e Bundesligës së dytë me 99 gola në 322 ndeshje.
Tani, 43 vjeç, ai ka nisur një rrugëtim të ri në botën e trajnimit. Pas eksperiencave si ndihmës trajner me skuadrat e Spielberg dhe Karlsruhe U17, nga pranvera e vitit të kaluar është emëruar trajner i ekipit të parë të vajzave të Freiburg.
Për një futbollist momenti i kapërcimit mes epokave është i vështirë ndonjëherë, pasi të jesh në fushën e lojës e të komandosh nga vijat anësore diferenca është e madhe. Megjithatë, në rastin konkret pasioni e bën më të lehtë këtë ndryshim.
Në rrëfimin e tij për FSHF TV, në serinë e reportazheve “Shqiptarët në Europë”, Kapllani tregon rrugëtimin si trajner, nga licensimi në FSHF deri te nisja e punës në një klub të madh si Freiburg.
“Pasioni është ai që më ka mbajtur në futboll, sepse pasioni është gjëja kryesore, si për futbollistët ashtu edhe për trajnerët. Pa pasion, njeriu nuk arrin atë që dëshiron në jetë.
Më pëlqen adrenalina e përditshmërisë, kur punon, mundohesh ta rritësh skuadrën si në aspektin individual, ashtu edhe grupor. Kjo më jep një adrenalinë shumë të mirë dhe nuk më mungon futbolli i luajtur, pasi këtë adrenalinë po ma jep edhe puna që po bëj. Jam shumë i kënaqur me këto hapa dhe ndihem mirë, sepse edhe unë edhe skuadra po rritemi,” tregon Kapllani.
Drejtoresha e përgjithshme, Birgit Bauer, drejtori i medias, Niklas Batsch, dhe kapitenia Lisa Karl vlerësojnë punën e madhe që Kapllani ka bërë në krye të Freiburg, duke shfaqur konsideratë të lartë për përkushtimin e tij.
“Edmondi është padyshim një trajner shumë i përpiktë. Ai e di saktësisht çfarë kërkon dhe çfarë pret nga skuadra. Ka ide të qarta për atë që dëshiron të arrijë në aspektin sportiv dhe për potencialin që ka ekipi,” tregon drejtori Batsch.
Drejtoresha Bauer thekson stilin e lojës që aplikon ish-sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë:
“Edmond preferon që situatat të zgjidhen përmes lojës, që skuadra të jetë aktive në sulm dhe të ushtrojë presion ndaj kundërshtarit. Kjo lidhet edhe me faktin që ai ka qenë sulmues në të kaluarën. Unë vij nga zona pranë Karlsruhes, ku ai ka qenë një emër i njohur për mua.”
Një rrëfim i veçantë i Kapllanit për FSHF TV, ku zbulon gjithçka për këtë rrugëtim të ri, në episodin e radhës të reportazheve “Shqiptarët në Europë”.