Shqipëria barazon me Qipron në ndeshjen e parë

- Bota Sot

Shqipëria barazon me Qipron në ndeshjen e parë

Kombëtarja shqiptare e futsallit e ka nisur me një barazim 2-2 ndaj Qipros rrugëtimin në raundin paraeliminator të Grupit E të Kupës së Botës në Futsall. Ndeshja u luajt në Parkun Olimpik të Tiranës, ku kuqezinjtë dominuan takimin, por nuk arritën ta fitonin ndeshjen.

Trajneri Erind Resuli e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar: Valdrin Mjeku (GK), Arbër Shkodra, Halim Selmanaj, Ermir Kryeziu, Arif Limani.

Shqipëria kaloi e para në avantazh me golin e realizuar nga Halim Selmanaj. Megjithatë, Qipro reagoi shpejt dhe barazoi në minutën e 6-të me Nikos Chadjigeorgiou.

Në minutën e 13-të Qipro përmbysi rezultatin me Costas Kouloumbris, por reagimi i kuqezinjve ishte i menjëhershëm. Vetëm një minutë më vonë, në të 14-ën, Fabiano Tafa riktheu baraspeshën duke shënuar për 2-2, rezultat me të cilin u mbyll edhe pjesa e parë.

Në pjesën e dytë, Kombëtarja shqiptare krijoi disa mundësi të mira për të kaluar sërish në avantazh, por nuk arriti të konkretizojë rastet. Në minutat e fundit kuqezinjtë iu afruan shumë golit të fitores, por tentativa e tyre u ndal nga shtylla.

Takimi u mbyll në barazim 2-2. Shqipëria do të rikthehet në fushë sot për ndeshjen e dytë të grupit ndaj San Marinos, që do të luhet në orën 19:00, në Parkun Olimpik të Tiranës.



Read it all at Bota Sot