Brazili po tenton të rikthehet në majën e futbollit botëror nën drejtimin e Carlo Ancelotti, pas një mungese 24-vjeçare nga trofetë madhorë.
Kjo është periudha më e gjatë pa tituj në historinë e Brazilit, e krahasueshme vetëm me intervalin 1970–1994.
Megjithatë, rikthimi nuk pritet të jetë i lehtë, pasi Brazili që do të marrë pjesë në Botërorin e ardhshëm në SHBA, Kanada dhe Meksikë nuk konsiderohet më si një nga skuadrat më të forta në botë, diçka që është bërë gjithnjë e më e zakonshme vitet e fundit.
Legjenda e futbollit brazilian Romario ka dhënë një analizë të detajuar për rënien e ‘Seleçaos’, duke theksuar ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur pas epokës së artë me Ronaldon, Ronaldinhon dhe Rivaldon.
Në një intervistë të fundit, ish-sulmuesi i PSV-së dhe Barcelonës u shpreh se ‘Brazili ka pësuar një rënie të ndjeshme në aspektin teknik’. Sipas tij, pas brezit të artë, ‘kombëtarja është bërë fillimisht e varur nga një lojtar i vetëm si Neymar, ndërsa më pas shumë talentë të rinj janë larguar shumë herët drejt Europës, duke humbur identitetin tradicional të futbollit brazilian’.
Romario gjithashtu theksoi se interesi dhe entuziazmi i tifozëve brazilianë për kombëtaren është në rënie.
Megjithatë, kampioni i botës i vitit 1994 beson se Brazili mund të rikthehet në nivelin më të lartë, me kusht që Neymar të rikthehet në formën e tij më të mirë dhe të jetë pjesë e ekipit.
Në fund, Romario shprehu edhe keqardhje personale për mosfitimin e “Topit të Artë” në vitin 1994, çmim që iu dha shokut të tij të atëhershëm te Barcelona, Hristo Stoichkov, duke theksuar se në atë kohë lojtarët jashtë Europës nuk kishin të drejtë për këtë trofe.
Ai shtoi se Stoichkov e meritonte plotësisht çmimin dhe e konsideron një nga miqtë e tij më të afërt në futboll.