Trajneri i Francës, Didier Deschamps, mund të jetë një nga kandidatët kryesorë për të marrë drejtimin e Real Madrid në fund të sezonit.
Sipas raportimeve nga RMC Sport, Botërori i vitit 2026 do të jetë i fundit për Deschamps në pankinën e Francës, duke mbyllur një periudhë 14-vjeçare të suksesshme, gjatë së cilës ai fitoi Kupën e Botës në 2018 dhe arriti finalen në 2022.
Megjithëse kishte njoftuar largimin nga kombëtarja, tekniku francez nuk ka ndërmend të tërhiqet nga futbolli dhe është i hapur për një rikthim në nivel klubesh.
Në anën tjetër, situata te Real Madrid mbetet e paqartë. Pas largimit të Xabi Alonsos në janar, drejtimin e skuadrës e mori Alvaro Arbeloa, por rezultatet nuk kanë qenë bindëse.
“Los Blancos” rrezikojnë eliminimin nga UEFA Champions League dhe po hasin vështirësi edhe në garën për titullin në La Liga.
Deschamps vlerësohet nga drejtuesit madrilenë për aftësitë e tij në menaxhimin e grupit dhe përvojën në fitimin e trofeve të mëdhenj.
Një tjetër avantazh është njohja e mirë me disa lojtarë të Real Madridit, si Kylian Mbappe, Aurelien Tchouameni dhe Eduardo Camavinga.
Përveç Real Madridit, Deschamps po tërheq interes edhe nga klube të tjera europiane, si dhe nga oferta të mundshme në Arabinë Saudite.
E ardhmja e trajnerit francez pritet të qartësohet pas përfundimit të Botërorit 2026, ku ai synon ta mbyllë aventurën me një tjetër sukses të madh.