Përcaktohen finalistët e Tiranës

- Bota Sot

Përcaktohen finalistët e Tiranës

Në një atmosferë elektrizuese dhe me mbështetje të jashtëzakonshme nga të rinjtë, “Shtëpia e Futbollit” priti ndeshjet gjysmëfinale të gjimnazeve të Tiranës, në kuadër të turneut kombëtar “Replay Snack Elka Cup 2026”, një iniciativë që promovon futbollin në shkolla dhe inkurajon pjesëmarrjen aktive të të rinjve në sport.

Turneu, i organizuar nga Federata e Futbollit në bashkëpunim me Shoqatën Rajonale të Futbollit Tiranë, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministrinë e Arsimit, me mbështetjen e kompanisë Replay, u shndërrua në një festë të vërtetë sportive.

Katër gjimnazet gjysmëfinaliste dhuruan emocione dhe rivalitet të fortë, ndërsa qindra nxënës mbushën tribunat për të mbështetur ekipet e tyre, duke krijuar një atmosferë fantastike.

Në tribunë ditën e sotme ishin të pranishëm edhe Presidenti Armand Duka, si edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Blendi Gonxhja, të cilët ndoqën nga afër një nga ndeshjet gjysmëfinale dhe përjetuan atmosferën e krijuar nga gjimnazistët e Tiranës.

Të dyja përballjet gjysmëfinale u vendosën nga penalltitë. “Petro Nini Luarasi” siguroi finalen pas fitores 4-3 me penallti ndaj “Sami Frashërit”, pas një ndeshjeje të mbyllur pa gola në kohën e rregullt.

Në gjysmëfinalen tjetër, “Qemal Stafa” triumfoi gjithashtu nga pika e bardhë, duke mposhtur 4-3 “Ismail Qemalin” pas barazimit 1-1 në kohën e rregullt.

Finalja e madhe, që do të zhvillohet më 17 prill në “Shtëpinë e Futbollit”, do të vendosë përballë shkollat “Petro Nini Luarasi” dhe “Qemal Stafa”. Fituesi do të përfaqësojë Tiranën në fazën kombëtare, duke u ndeshur me 7 ekipet më të mira nga qendrat rajonale të Shqipërisë.



Read it all at Bota Sot