Fatmir Ademi tregon se si e shpëtoi Isa Mustafën

- Bota Sot

Fatmir Ademi tregon se si e shpëtoi Isa Mustafën

Futbollistët dhe sportistët e të gjitha sporteve në vitet e ’90-ta, pjesë e gjeneratës së sakrificës në rezistencë ndaj regjimit serb, mbeten heronj të gjallë të kohës së tyre.

Në kushte dhe rrethana tejet të vështira, nën kërcënimin e armëve të regjimit serb, ata arritën të mbajnë gjallë futbollin dhe sportin në tërësi, duke zhvilluar ndeshje në livadhe dhe fusha të improvizuara.

Një detaj interesant lidhet me datën 17 nëntor 1996, në kuadër të javës së fundit të stinorit vjeshtor të Ligës Unike të Kosovës në futboll, në ndeshjen mes Kitkës së Hogoshtit dhe Prishtinës, e cila kishte përfunduar baras me rezultat 3:3.

Pas përfundimit të ndeshjes, situata doli jashtë kontrollit: u sulmua dhe u rrah rëndë gjyqtari i futbollit Iljaz Spahiu, ndërsa gjyqtari anësor Isa Mustafa shpëtoi nga më e keqja.

Fatmir Ademi, mbrojtës i Kikës në atë ndeshje, që luante me numrin 3, tregoi trimëri të veçantë duke i dalë në ndihmë Isa Mustafës.

Ai e mbrojti nga zemërimi i tifozëve, kur mbi 100 persona kishin hyrë në fushë dhe situata ishte bërë kaotike.

“Si lojtar i asaj ndeshje, ju tregoj se Isa Mustafën e kam mbrojtur personalisht nga stadiumi deri në qendër të fshatit dhe askush nuk e preku as me gisht Isën.

Ndërsa gjatë lojës, Iljaz Spahiut ia kam tërhequr vërejtjen disa herë, por ai thoshte: ‘Unë jam Iljaz Spahiu, nuk tutem.’

Ai njësoj kishte vepruar edhe në ndeshjen Studenti – Drita në Dobërçan, si dhe në ndeshjen kualifikuese Rilindja – Tërnoci.

Ky është realiteti i asaj kohe,” ka komentuar Ademi në shkrimin e gazetës “Bota sot”, me titull: “Ndeshja që tronditi Kosovën! Ja kush e sulmoi Spahiun në sy të Isa Mustafës në ndeshjen e Prishtinës”.



Read it all at Bota Sot