Shoqata e La Liga ka hedhur poshtë pretendimet për fshehje të dëmtimit të Kylian Mbappe, pas incidentit të ndodhur në ndeshjen ndaj Gironas, e cila përfundoi në barazim 1-1.
Sipas të përditshmes spanjolle AS, që citon burime nga La Liga, pamjet televizive e kanë transmetuar incidentin disa herë dhe nuk ekziston asnjë udhëzim që ndalon shfaqjen e gjakut apo dëmtimeve gjatë transmetimeve.
Në sqarimin e saj, La Liga theksoi se mungesa e pamjeve të qarta të dëmtimit lidhej me këndin e kamerës, si dhe me ndërhyrjen e stafit mjekësor, i cili mbuloi fytyrën e lojtarit gjatë trajtimit, duke e bërë të pamundur që publiku të shihte plagën.
Ngjarja ndodhi në minutën e 88-të, kur Mbappé u godit me bërryl në zonë nga Vitor Reis.
Megjithatë, arbitri nuk akordoi faull, ndërsa sistemi VAR konfirmoi se nuk kishte penallti apo shkelje që të ndëshkohej.