Lautaro Martinez do të mungojë për të paktën edhe tri ndeshje të Inter, duke vënë në provë serioze repartin ofensiv të zikaltërve në një fazë vendimtare të sezonit.
Sulmuesi argjentinas pritet të humbasë përballjet ndaj Como, Cagliari dhe sërish ndaj Comos në gjysmëfinalen e Coppa Italia.
Rikthimi i kapitenit për ndeshjen ndaj Torino mbetet ende i paqartë.
Stafi mjekësor po ndjek nga afër gjendjen e tij, ndërsa vendimtare do të jenë ditët në vijim për të parë reagimin e muskulit ndaj trajtimeve.
Mungesa e Lautaro-s konsiderohet një goditje e rëndë për Interin, sidomos përballë një kundërshtari të vështirë si Como i drejtuar nga Cesc Fabregas. Në këtë situatë, barra bie mbi lojtarët me përvojë dhe personalitet në skuadër.
Figura si Hakan Çalhanoglu, Marcus Thuram, Nicolo Barella, Federico Dimarco, Denzel Dumfries dhe Francesco Acerbi pritet të marrin rolin kryesor për të mbajtur ekipin në garë.
Çalhanoglu e pranoi hapur rëndësinë e mungesës së kapitenit: “Kur ai nuk është në fushë, na mungon shumë, jo vetëm për golat, por edhe për personalitetin. Megjithatë, kemi lojtarë të tjerë me eksperiencë dhe karizëm që mund të bëjnë diferencën”.
Mesfushori turk theksoi gjithashtu se motivimi i skuadrës mbetet i lartë, sidomos pas zhgënjimit të sezonit të kaluar:
“Kujtimi i titullit të humbur me një pikë është ende i freskët.
Nuk duam që kjo të përsëritet. Duhet të vazhdojmë me këtë ritëm dhe ta mbyllim objektivin sa më shpejt të jetë e mundur”.
Interi hyn në këtë periudhë vendimtare pa liderin e sulmit, por me një grup që synon të dëshmojë forcën kolektive dhe ambicien për trofe.