Trajneri i Arsenal, Mikel Arteta, e ka cilësuar humbjen 2-1 ndaj Bournemouth si një “goditje të fortë”, duke u bërë thirrje lojtarëve të tij të reagojnë në një moment kritik të sezonit.
Skuadra londineze pësoi një disfatë të papritur në shtëpi, pasi miqtë kaluan në avantazh që në minutën e 17-të me golin e Junior Kroupi.
Arsenali u rikthye përkohësisht në lojë falë një penalltie të realizuar nga Viktor Gyökeres, por reagimi nuk zgjati shumë.
Në minutën e 74-t, Alex Scott riktheu avantazhin për Bournemouth, ndërsa “Topçinjtë” nuk arritën të gjenin më përgjigje deri në fund, duke regjistruar humbjen e dytë në shtëpi këtë sezon në kampionat.
“Ishte një goditje e fortë. Nuk e prisnim këtë rezultat dhe duhet të reagojmë menjëherë”, deklaroi Arteta pas ndeshjes.
“Duhet të ngrihemi dhe të tregojmë personalitet. Në këto momente kuptohet se kush jemi si ekip”, tha ai.
Pavarësisht disfatës, Arsenali mbetet në krye të renditjes me nëntë pikë më shumë se Manchester City, por situata është bërë më e ndërlikuar. Skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola ka dy ndeshje më pak dhe është rikthyer fuqishëm në garën për titull.
Përballja direkte mes dy skuadrave, që do të zhvillohet javën e ardhshme në “Etihad Stadium”, pritet të jetë vendimtare për fatin e titullit në Premier League.
Arteta kërkon reagim të menjëhershëm nga skuadra e tij për të mos rrezikuar një sezon që deri tani ka qenë shumë premtues.